Një rezultat i pabesueshëm ka qenë ai i sotmi për Milanin. Kuqezinjtë vinin pas dy fitoreve të mëdha radhazi dhe sot dukej se do të mbyllnin njëherë e mirë çështjen e Champions-it, por diçka e tillë nuk ndodhi. “Djajtë” duket se i “harxhuan” të gjithë golat në atë fitore të thellë 0-7 kundër Torinos dhe janë ndalur në një barazim 0-0 kundër Kaljarit një javë përpara përfundimit të Serie A.
Një barazim ky që e vendos Milanin në një rrezik serioz për të siguruar pjesëmarrjen në Champions League sezonin e ardhshëm. Kaljari nuk luante për asnjë objektiv në këtë ndeshje, por kjo nuk i ka mjaftuar kuqezinjve për të marrë 3 pikët. Tashmë skuadra e drejtuar nga Pioli numëron 76 pikë, po aq sa Napoli, dhe vetëm një më tepër se Juventusi.
Në këto kushte gjithçka do të vendoset javën e ardhshme. Është Atalanta ajo që ka në dorë fatet e skuadrave. Një barazim apo fitore e bergamaskëve mund ti sjellë Juventusit dhe Napolit një vend në zonën Champions dhe të shuajë ëndrrën e madhe të këtij sezoni mjaft emocionues për Milanin./Halit Delibashi-Sport Ekspres/