E nxori nga fusha dhe nuk e la Haland të shënonte më shumë, Guardiola habit: Do t’i bëhej jeta e mërzitshme…

Erling Haaland e shkatërroi plotësisht Leipzigun mbrëmë, pasi shënoi pesë gola në ndeshjen e dytë të 1/16-ave. Sulmuesi norvegjez kështu hyri në historinë e Champions League pasi është lojtari i tretë që ka arritur të shënojë deri në pesë gola në një ndeshje të Ligës së Kampionëve, pasi Lionel Messi dhe Luiz Adriano e bënë këtë para tij.

Megjithatë, shumë besojnë se Haaland mund ta rrëzonte nga froni këtë dyshe, por Pep Guardiola nuk ia lejoi një gjë të tillë pasi e nxori nga fusha në minutën e 63-të të ndeshjes, gjë që i tronditi të gjithë.

Edhe Haaland ishte dukshëm i zhgënjyer kur pa se duhej të largohej nga fusha, sepse padyshim që besonte se në fund të lojës mund të tundte rrjetën e Leipzig edhe një herë dhe të shkruante historinë e Champions League, por Guardiola nuk e lejoi për ta bërë këtë.

Një nga gazetarët e pyeti menjëherë Guardiolën pse e nxori Haaland nga loja kaq herët dhe e pengoi të thyente rekordin e Champions League dhe shpjegimi i tij i çuditshëm la pa fjalë shumë njerëz.

“Nëse ai do të arrinte ta bënte atë sukses kur ishte vetëm 22 vjeç, atëherë do të mërzitej në të ardhmen. Ai nuk do të kishte asnjë qëllim në të ardhmen. Prandaj vendosa të bëj një ndryshim. Nuk e dija për Messi dhe se ata pesë gola ishin kundër Leverkusenit, por zakonisht kur zgjidhen ndeshjet bëj ndryshime dhe pushoj lojtarët”, tha Guardiola. /Elio Hajdari-Sport Ekspres/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *