E marrin lehtë Superioren apo kampionat i nënvlerësuar? Lojtarët “big“ që vijnë për të bërë diferencën, humbasin shpejt me turmën

0

Kampionati shqiptar po rrit nivelin e tij nga viti në vit, duke shtuar cilësinë në fushën e lojës. Klubet nuk janë kursyer në investime sezonet e fundit dhe në merkato shpesh përmenden emra që kur i dëgjojmë na tingëllojnë si luks për kampionatin tonë. Ish-futbollistë të Kombëtares janë lakuar shpesh me ekipet e mëdha të Superiores dhe lojtarë me një CV të pasur europiane nuk kanë munguar.

Në të shkuarën kujtojmë Edgar Çanin, i cili pavarësisht se kishte debutuar edhe me kuqezinjtë e De Biasit dhe kishte një eksperiencë në Itali, nuk arriti të linte gjurmë me fanellën e Partizani. E nëse njëri rast mund të duket përjashtues, shembuj të tillë vitet e fundit nuk mungojnë.

Seferi në janarin e shkuar mbërriti te Tirana nga skuadra e Young Boys dhe prej tij u prit që të merrte për dore sulmin e bardhebluve, por diçka e tillë nuk ndodhi. Ndërsa në anën tjetër të kryeqytetit Partizani fitori duelin në merkato për shërbimet me Ferhan Hasanit, por ky i fundit do të largohej pa u parë shumë në fushën e lojës. Kjo solli edhe largimin e tij. Gjithashtu këtë sezon një nga ata emra që do e dëshironte çdo ekip shqiptar mbërriti në Superiore, Ergys Kaçe. Por në këto 12 javë është folur pak për të për sa i përket fushës së blertë. Shumë emra “big” që priteshin ta tërhiqnin kampionatin në një tjetër nivel shpejt humbasin me turmën.

Një fenomen i tillë natyrshëm ngre pikëpyetjet e veta. A i bën lojtarët fakti që kanë luajtur në kampionate të huaja e më të njohura të ndihen superior e ta marrin lehtë futbollin në Shqipëri, apo ndoshta kampionati shqiptar është i nënvlerësuar nga ne dhe niveli i tij është më i lartë nga ç’mund ta mendojmë?/Sport Ekspres/

You might also like
Leave A Reply

Your email address will not be published.