Një klub i njohur në arenën europiane mund të zbresë në tokën shqiptare në të ardhmen. Bëhet fjalë për Borusian e Dortmundit, që ka pas vetes një histori të madhe, sidomos në Gjermani. Arsyeja mbetet e veçantë, teksa flitet për festimin e një ngjarjeje të shenjuar për klubin e Prishtinës. Këta të fundit janë skuadra më e vjetër në Kosovë dhe në vitin 2022 do kenë 100 vjetorin e krijimit të tyre.
Një shekull histori është diçka që ia vlen të festohet dhe për këtë motiv presidenti i bardhekaltërve ka dhënë lajmin e mrekullueshëm për tifozët e klubit të tij dhe jo vetëm. Kështu Remzi Ejupi ka premtuar të sjellë në Prishtinë një klub të njohur, ndërsa më shumë mundësi ka që të jetë ai i Dortmundit, në mënyrë të shtohet edhe më tepër arsyeja për të festuar në atë vit të shenjuar për ekipin bardhekaltër. Në një prononcim për Radio Prishtina Ejupi është shprehur:
“Ne kemi kërkuar dhe punuar edhe më herët për të zhvilluar një ndeshje të madhe. Tani janë pjekur kushtet dhe presim të kalojë kjo situatë për të organizuar një ndeshje të madhe. Ne shumë shpejt e kemi 100 vjetorin e klubit Prishtina dhe presim të organizojmë një ndeshje të madhe pse jo me Dortmundin apo edhe një ekip tjetër të madh”./Sport Ekspres/