Laçi ka bërë një paraqitje dinjitoze mbrëmjen e sotme, teksa ka mposhtur me rezultatin minimal 1-0 Universitatea Craiova-n. Rumunët vinin në “Elbasan Arena” si favoritë, por tani e shohin veten duke diskutuar edhe kualifikimin. Në përfundim të përballjes, trajneri i kurbinasve ka folur për “Supersport”, ku është shprehur i kënaqur me paraqitjen e skuadrës. Sipas Duros kundërshtarët nuk e rrezikuan aspak portën e skuadrës së tij si dhe shton se te Universitatea Craiova kishin vlerësuar maksimalisht Mazrekajn, gjë e cila vërehej në mbulimin që i bënë gjatë 90 minutave.
“Një fitore 1-0 ndaj një skuadre e cila deri në fund ka luajtur për titullin kampion në Rumani, mendoj se është një sukses i jashtëzakonshëm. Rezultati është pozitiv, por patjetër çdo gjë është e hapur për ndeshjen e kthimit, që gjithashtu duhet ta vlerësojmë maksimalisht.
Kundërshtarët nuk krijuan rrezikshmëri në portën tonë, me përjashtim të një rasti në pjesën e parë. Ne nga ana tjetër mund të bënim më mirë në daljet në kundërsulm, pasi mund t’i vinim në vështirësi disa herë, megjithatë fituam dhe tani duhet të mendojmë për ndeshjen tjetër.
Në përgjithësi të gjithë kanë luajtur mirë, kanë zbatuar detyrat, se këto janë ndeshje të tilla që nëse do të çedojë një ose dy lojtarë, të krijojnë probleme. Pa përjashtim, të gjithë kanë luajtur mirë. Mazrekaj ka bërë super-ndeshje me Podgoricën. Sot në krah kishte një mbrojtës si Konte që i rrinte gjithë kohës në fundore. E kishin vlerësuar shumë Mazrekajn, ishte vlerësim i jashtëzakonshëm në mbulimin e tij”, ka thënë Shpëtim Duro./Halit Delibashi-Sport Ekspres/