Nga Klaudio Ndreca
Në çdo çep të Europës kërkohet vetëm një emër kur flitet për lojtarët shqiptarë. Marash Kumbulla! Nga Italia për të vazhduar më Gjermaninë e deri në Francë, mbrojtësi i Kombëtares kërkohet me ngulm si një shpresë e madhe për të përforcuar skuadrën në sezonin e ardhshëm.
Ndërkohë kur flitet për “Ligue 1”, është Lioni që po e vëzhgon prej kohësh këtë futbollist. Sipas asaj që raporton gazetari i “L’Equipe”, Bilel Ghazi, nëse do të venitet mundësia e transferimit të Mamadou Sakho, atëherë francezët do të bënin gjithçka për mbrojtësin e ri të Veronës.
Por për të mbërritur në këtë pikë do të jetë e vështirë për ta, pasi në garë ka edhe shumë ekipe të tjera të njohura. Interi është më afër Kumbullës, me dëshirën e këtij të fundit që është për t’iu bashkangjitur zikaltërve, por deri në hapjen e merkatos verore do të kemi të tjera zhvillime të rëndësishme dhe Verona fërkon duart për milionat që do të përfitojë nga kjo shitje. /Sport Ekspres/