Shqipëria ndodhet në Pragë, ku mbrëmjen e nesërme do të luajë testin e dytë miqësor për këtë muaj. Në vigjilje të takimit me Republikën Çeke kanë dalë në konferencën e zakonshme për shtyp trajneri Reja dhe kapiteni i Kombëtares kuqezi, që këtë herë do të jetë Berat Gjimshiti. Mbrojtësi i Atalantës është shprehur se në fushë do të jepet maksimumi pavarësisht faktit se kemi të bëjmë me një miqësore, ndërsa shton se grinta është diçka që rrjedh në venat e çdo shqiptari dhe nuk do të mungojë as nesër.
“Ka disa gjëra që mund të përmirësohen. Çekia ka një skuadër pothuajse në të njëjtin nivel fizik (me Uellsin) dhe besoj që në repartin ofensiv ka lojtarë me shumë cilësi. Disa i njohim dhe luajnë në Europë. Vendos trajneri kush do të luajë në treshen e mbrojtjes. Kush do të luajë do të jetë 100% në formë dhe do japi maksimumin e vetë. Besoj ia arrijmë nëse jemi të përqendruar. Në stërvitje merr vetëbesimin. Pastaj futbolli që luaj më Atalantën dhe këtu nuk është i njëjtë. Miqësoret të luajtura me grintë? Ajo është ajo që na jep ne atë sigurinë në fushë. Grinta është në venat tona si shqiptarë.“, ka thënë Berat Gjimshiti./Halit Delibashi-Sport Ekspres/