“E kemi kockën në gojë, mos ta lëmë të na ikë”, Konte pret me padurim titullin: Jam shumë i lodhur, jemi një hap larg historisë

Vetëm një ndeshje e ndan Napolin nga fitimi i titullit kampion. Skuadra e Antonio Kontes gaboi mbrëmjen e sotme përballë Parmës, por Interi nuk mundi të përfitonte nga situata për të marrë kreun e renditjes. Trajneri i të kaltërve ka thënë pas ndeshjes se ndihet shumë i lodhur në këtë fazë të sezonit për shkak se në Napoli pritshmëritë i kalojnë mundësitë reale të skuadrës.

“Titulli do të më shpërblejë për gjithçka që kam dhënë këtë vit, i kam dhënë të gjitha. Jam shumë i lodhur. Me zor po ia dal deri në fund të sezonit. Napoli është një vend i bukur, por pritshmëritë janë përtej asaj që është e mundur. Tani e kemi kockën në gojën tonë dhe nuk mund ta lëmë të na ikë.

Jemi afër titullit, por kemi edhe hapin final për të bërë. Do ta bëjmë në shtëpi. Është një kampionat vërtetë i vështirë nga të gjitha këndvështrimet. Jemi një hap larg të bërit një gjë historike për Napolin. Të fitosh këtu është ndryshe”, ka deklaruar Antonio Konte./Sport Ekspres/