Erdenis Gurishta e ka bindje se do të jetë Vllaznia që do të kalojë në finalen e Kupës së Shqipërisë. Ndeshja e parë në transfertë përfundoi në barazimin pa gola dhe shkodranët do të tentojnë gjithçka për t’u kualifikuar në shtëpinë e tyre. Ndërkohë Gurishta shprehet se tifozët duhet të jenë në stadium pasi ky moment është delikat.
“Tifozët? Vijmë nga një moment delikat dhe na duhen të gjitha forcat që të shkojmë në finale. Na duhet ndihma dhe mbështetja e tifozëve. Pavarësisht situatës jo të mirë që po kalon ekipi. Na duhet ndihma e tifozëve dhe bashkë me tifozët mendoj se kemi mundësi dhe do t’ja dalim ditën e nesërme.”
Më ka munguar shumë ekipi dhe e kam përjetuar shumë në tribunë dhe në stol kur kam qenë, kam dashur që të isha në fushë,por ishte e pamundur sepse dëmtimi më la shumë gjatë jashtë fushës, por nesër do të jem në fushë do të jem aty për ekipin dhe shpresoj që t’ja dalim.
Rastisi u dëmtova me Partizanin dhe u riktheva me Partizanin. Shpresoj të jem në gjendjen time optimale dhe të ndihmoj ekipin. E ndjeva për të thënë të vërtetën ndoshta nuk jam në 100% tim, por e ndjeva të jem aty për ekipin ose të gjithë bashkë të shkojmë në finale ose të gjithë bashkë të dështojmë.
Kualifikimi? Të them të vërtetën nuk e kam menduar as kohën shtesë as penalltitë, unë besoj shumë te kualifikimi dhe jam i bindur që do kualifikohemi. Jam munduar që t’ja imponoj edhe skuadrës këtë besim dhe them se nesër do ta fitojmë ndeshjen. E di që do jetë shumë e vështirë pasi Partizani në këto ndeshjet e fundit është kthyer te ai Partizani i frikshëm e cinik, por duhet shumë besim dhe duhet të marrim përgjegjësi dhe ta çojmë ekipin në finale, pasi është i vetmi shpëtim për skuadrën”, tha Gurishta. /Sport Ekspres/