Nikolas Pepe po rezulton një zgjënjim te Arsenali. Sulmuesi i “topçinjve“ erdhi në Londër si blerja më e shtrenjtë me një shifër prej 72 milionë paundësh, por nuk ka gjetur shumë hapësira nën urdhërat e Artetas. Shansi iu dha ndeshjen e sotme, por Pepe duket se e ka flakur tutje këtë mundësi, teksa bëhet protagonist i një gjesti aspak të hijshëm në ndeshjen e sotme kundër Lids.
Një goditje me kokë drejt Alioskit bën që të largohet me karton të kuq nga loja, duke e lënë Arsenalin me 10 lojtarë që në minutën e 51-të. Diçka e tillë nuk është toleruar aspak nga ish-futbollisti, Patris Evra, i cili ka shpërthyer me kritika për Pepen në mikrofonin e “Sky Sports“. Gjithashtu Evra shton se Alioski meritonte një çmim Oskar, pasi e laujti mirë pjesën e tij për të nxjerrë me të kuq kundërshtarin.
“Jam i zhgënjyer. Ajo goditje erdhi nga frustrimi. Mund ta shihje se që më herët ai ishte duke u marrë me Alioskin dhe mund ta shihje se Pepe nuk ishte i gëzuar. Mendoj se duhet t’i kërkojë falje të gjithë shokëve të skuadrës, sepse Arsenali kishte një plan, por pastaj sigurisht që gjërat ndryshuan. Alioski meritonte një Oskar, e luajtu shumë mirë. Por prapë së prapë ishte budallallëk nga Pepe. Kur nuk ke luajtur shumë dhe Arteta të jep një shans, mos shko të qash kur mos të luash ndeshjen tjetër”, ka thënë Evra./Halit Delibashi-Sport Ekspres/