“E gjithë Shqipëria të ketë besim”, Halili dhe Egbo janë në një mendje për Young Boys: Bëjmë paraqitje si dimë ne

Pengesa e fundit që fsheh nga pas grupet e Europa League për Tiranën do të jetë Young Boys. Kampionët e Zvicrës presin më 1 tetor bardheblutë, ku do të vuloset fati përfundimtar i kryeqytetasve në Europë. Por pavarësisht se përballë do të kenë një kundërshtar të një niveli të vështirë e që ka provuar edhe grupet e Champions League, në kampin bardheblu nuk mungon besimi. Si Egbo ashtu edhe Halili janë në të njëtën linjë mendimi në prononcimin e tyre për “Syri TV”, pasi sipas tyre vetëm me besim arrihet gjithçka.

Presidenti Refik Halili vlerëson paraqitjet e bëra deri më tani nga Tirana në arenën europiane, ndërsa thekson se do të shkojnë në Zvicër për të luajtur futboll. “Në ndeshjet e zhvilluara më parë në Europë, kemi bërë paraqitje siç dinë të bëjë skuadra jonë. Unë kam besim te ekipi, pasi është një grup me lojtar shumë të mirë. Them se do të bëjmë më të mirën. Do shkojmë për të lozur futboll, 1 ndeshje është dhe shpresoj t’ia dalim”, ka thënë Halili.

Në anën tjetër, trajneri Egbo është i vetëdijshëm se kundërshtari që i pret është i fortë, por shprehet se Shqipëria duhet të ketë besim se Tirana do ia dalë. “Kundërshtari është i fortë, por ne do provojmë shanset tona. Unë kam besim, ekip duhet të ketë besim, e gjithë Shqipëria duhet të ketë besim që mund t’ia dalim. Me besim dhe duke dhënë maksimumin në fushë gjithçka mund të ndodhë”, është shprehur Egbo./Halit Delibashi-Sport Ekspres/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *