Prezantimi i trajnerit të ri nuk ishte vetëm te Partizani, por edhe te Vllaznia. Tekniku Thomas Bradriç ka thënë fjalët e para si tekniku i shkodranëve duke premtuar suksesin, nëse do të ndiqet linja dhe mënyra sesi e mendon futbollin.
Ndërkohë një surprizë e bukur ishte edhe afrimi i Elvis Plorit tek stafi i Vllaznisë. Ky i fundit do të ndihmojë për afrimin e futbollistëve, duke qenë një ndihmës për trajneri Brdariç, por njëkohësisht duke dhënë edhe këshilla të vlefshme për drejtuesit e klubit.
“Pikësëpari faleminderit Alban Xhaferi dhe Voltana Ademi, pasi pa ju nuk do të isha këtu. Jemi në të njëjtën linjë kur flasim për Vllazninë e madhe. Faleminderit që më keni besuar. Do të provoj për të ndërtuar një klub që të ecim përpara. Duhet të kemi pak durim, nuk është koha për llafe të mëdha, por për punë.
Do të provoj që të jap energji të reja në ambientin e futbollit të Shkodrës. Gjëja kryesore është disiplina dhe besueshmëria.Nësë gjithë do të punojnë me mënyrën sesi kërkoj unë, atëherë do të kemi sukses në fund. Do të provojmë që të luajmë një futboll të shpejt dhe i kam qejf lojtarët që luajnë për ekipin, jo si individ. Do ta kuptojnë në skuadër vetëm ata që ndajnë të njëjtin mendim me mua”, u shpreh Brdariç. /Sport Ekspres/