Një fitore të madhe ka marrë Dinamo në ditën e sotme teksa ia ka dalë të triumfojë në shifrat 0-1 në transfertë me Skënderbeun. Si një finale direkte mbijetese shihej kjo sfidë, që u vendos vetëm me golin e Mihanës.
Që në minutën e 2 do të vinte tundja e rrjetës teksa pas krosimit të bukur që mbërriti në këmbët e Mihanës, i vetëm përballë portierit nuk mund të gabonte. Skënderbeu kishte mbajtjen e topit dhe e zhvillojë ndeshjen me një portë, veçanërisht në të dytën, por i mungoi fantazia për të vënë seriozisht në provë Simonin.
I vetmi moment i rrezikshëm për Dinamon në të dytën ishte ekzekutimi perfekt i goditjes së dënimit nga Ibrahimi, por Rexhepi bëri mrekullinë. Në fund, kryeqytetasit fitojnë ndeshjen më të rëndësishme teksa po përfliteshin emra të tjerë për të marrë vendin e Devollit. Ndërkohë Skënderbeu mban vendin e fundit në renditje dhe tani sheh seriozisht më afër Kategorinë e Parë. Më poshtë gjeni intervistat e trajnerëve për “Supersport”:
Memelli: “Po vuajmë, situata nuk është e mirë. E dinim se ku do të na vinte goli dhe më vjen keq se e pësuam atje ku kishim punuar më tepër. Skuadra nuk ka qenë asnjëherë e plotë, prapë sot kemi pasur lojtarë jashtë. Nuk dua të bëhem barrë për askënd, do të bisedoj me presidentin që t’i hapim rrugën dikujt tjetër. Kur rezultati nuk është i mirë, ai që goditet i pari jam unë. Do ta mbyll këtë deklaratë dhe shpresoj se do të më mirëkuptoni. Në këto 24 orë do të ulemi dhe të flasim me presidentin për të vendosur më të mirën e mundshme”.
Devolli: “Isha i bindur se do vinte fitorja. E kishim afruar disa herë dhe sot ia dolëm, edhe me pak fat që duhet në këtë lloj sporti. Tre pikët janë flori për ne në këtë situatë ku jemi. E kisha thënë që me një fitore sot i jepnim një grusht rivalit. Goli erdhi ashtu si e kishim punuar në stërvitje. Ishim me 5 lojtarë që kanë karakteristikë sulmuese dhe nuk e bën askush tjetër në Superiore. Trajneri italian te Dinamo? Nuk më intereson fare nëse është italian apo gjerman. Kam garanci nga presidenti që janë vetëm lajme mediatike”.