Nga Klaudio Ndreca
Tefik Osmani ka surprizuar me vendimin e marrë, teksa ka varur “këpucët në gozhdë” në moshën 35-vjeçare. Të gjitha i ka menduar përgjatë gjithë kësaj kohe, që nga dëshira e parë për t’u bërë futbollist, por kurrsesi për përjetimin teksa merr vendimin për t’u ndarë përfundimisht me futbollin e luajtur. Një jetë në fushën e blertë dhe kur nuk do të jesh më pjesë e saj, kupton sesi vitet kanë ikur me shpejtësi përpara syve, madje pa e kuptuar.
Por një vendim për t’u duartrokitur nga ai që tanimë do të quhet ish-lojtari i Tiranës, si ekipi i fundit për të cilin luajti, pasi do të largohet nga futbolli si kampion. Nëpërmjet një reagimi të fundit në rrjetet sociale, Osmani kthehet pas në kohë për të kujtuar historinë sesi babai i tij e ka dërguar me bicikletë te stadiumi i Skënderbeut kur ishte vetëm 8-vjeç, e për të vazhduar me ekipet që ka luajtur përgjatë kohe dhe sigurisht për ta mbyllur me falënderimet për të gjithë presidentët, lojtarët dhe trajnerët që ka punuar. /Sport Ekspres/