Një situatë shumë kaotike është ajo që ka ndodhur në stadiumin e Ballshit, ku është rrezikuar zhvillimi i ndeshjes mes Bylisit dhe Tiranës. Një prej titullarëve të shëndetit publik ka mbërritur pak para se ekipet të dilnin në fushë, duke thënë se nuk do të luhej ndeshja pasi nuk ka respektim të protokollit. Në një prononcim për “Fan Zone”, presidenti Besnik Kapllanaj është shprehur:
“Nuk po e kuptoj se çfarë po ndodh që të jemi të sinqertë. Sapo Qardaku ka pasur temperaturë ne kemi shkuar për ta kontrolluar dhe doli pozitiv. Menjëherë kemi kontrolluar dy të tjerët që kanë qenë në udhëtim me të dhe kanë rezultuar negativ. Në mbrëmjen që ka ndodhur kjo gjë, rreth orës 23:30, kam njoftuar edhe pjesëtarët e FSHF-së për rastin e parë të Koronavirusit. Sot në mëngjes dhe me kërkesën e Federatës kemi kërkuar që të marrim shkresën me shkrim për zhvillimin e takimit. I kam thënë që nuk dalë nga zyra pa e marrë letrën me shkrim.
Atë personin që na e dha pastaj e kanë kërcënuar. Nuk e di, kjo është një situatë komike. Delegati i ndeshjes, Cela, ka thënë që ekipet të dalin në fushë dhe nëse nuk e bëjnë një gjë të tillë, atëherë do të ketë dënime. Ne jemi brenda të gjitha rregullave dhe po respektojmë protokollin. Në momentin kur ne bëheshim gati që të futeshim në fushë vjen një person palidhje dhe thotë që nuk do të futeni, se nuk dua unë”, ka thënë Kapllanaj. /Sport Ekspres/