Partizani e ka zyrtarizuar përfundimisht timionerin e ri që nga ky moment, duke marrë trajnerin shqiptar më të mirë në qarkullim, Ilir Dajën. Pikërisht emrin më të përfolur, që është kërkuar nga shumë skuadra të Superiores, por që njëkohësisht u përfol edhe për Shkëndijën e Tetovës.
Të kuqtë njoftuan një konferencë për shtyp në orën 11:00 të ditës së sotme, por pa e zbuluar emrin e plotë të teknikut. Në këtë konferencë ka qenë pikërisht Ilir Daja si trajneri i ri i Partizanit përkrahë Olsi Ramës, duke thënë fjalët e para në drejtimin e kryeqytetasve.
“Kam emocione, pavarësisht se kam shumë vite karrierë, por jam në një klub të madh. E shoh nga prania e gazetarëve dhe kameramanve sot, që tregon pritshmëritë nga ju, e jo më pastaj për tifozët. Presioni është i madh për të arritur nivelet maksimale, pasi jam në një nga ekipet që ka më shumë trofe në Shqipëri. Jam i kënaqur që m’u besua mua projekti, pasi po të shohësh investimi gjigand te Kompleksi, investimi nuk është sot për sot, por për të ardhmen.
E para është që largohem nga Skënderbeu, me plot suksese të arritura, një ekip tjetër me shumë suksese në dekadën e fundit të futbollit shqiptar. Duke marrë sot Partizanin jam i vetmi trajner që ka drejtuar tre ekipet e kryeqytetit dhe sigurisht që tifoz jam i ekipit ku drejtoj aktualisht. Ne do dalim me një objektiv konkret kur të jemi gati për sezonin e ri. Nuk jam trajner-menaxher si e ka futbolli anglez, çelësi i suksesit është bashkëpunimi. E kemi diskutuar edhe me drejtorin sportiv këtë gjë dhe do të kontribuojmë të gjithë për të sjellë elementet më të mirë të Partizanit dhe jo për të mbushur thjeshtë organikën, pasi jemi mirë edhe kështu. Nëse nuk zhbllokohet merkato këtë herë, duhet të jemi pak të duruar dhe të mësojmë të vuajmë të gjithë bashkë, sa të vijë momenti”, tha Daja. /Sport Ekspres/