E FUNDIT/ Ilir Daja fiton duelin e heshtur me Tetovën, Dinamo ngre Superkupën e Shqipërisë

Superkupa e Shqipërisë ka shkuar në duart e lojtarëve të Dinamos. “Nëndetësja blu” ka mposhtur Egnatian në finale me shifrat 1-3. Rrogozhinasit gjetën të parët rrugën e rrjetës. Ruçi zhbllokoi rezultatin që në minutën e 9 të takimit, por në fund goli i tij do të shërbente vetëm për statistikë.

Dinamoja shfaqi një tjetër fytyrë në pjesën e dytë të lojës. Bregu riktheu baraspeshën në minutën e 54-t, ndërsa vetëm 5 minuta më vonë Nani përmbysi shifrat. Në fund, kur kishin mbetur edhe pak sekonda nga vërshëllima përfundimtare e arbitrit, Qefalia vulos rezultatin në 1-3 nga pika e bardhë e penalltisë. Dinamoja u kurorëzua kështu fituese e Superkupës së Shqipërisë, teksa Ilir Daja fitoi duelin e heshtur me Edlir Tetovën për trajnerin më të mirë në kampionatin shqiptar./Sport Ekspres/