Nga një prej lojtarëve më të respektuar të Interit Lukaku u kthye shpejt në një nga më të urryerit në radhët e zikaltërve. Tradhëtia e parë, ajo e largimit drejt Chelsea-t, u fal nga tifozeria, por besimi i tyre u thye sërish këtë verë. Këtë herë tradhëtia e belgut lë një shije më të hidhur dhe kjo për shkak të ekipit me të cilin ai po negocion prej kohësh.
Bëhet fjalë për Juventusin, rivalin e përjetshëm të Interit dhe njëkohësisht ekipin për të cilin vetë Lukaku ka premtuar se nuk do të luante kurrë. Madje premtimi i fundit ishte vetëm disa ditë më parë. “Nuk do të them kurrë forca Juve”, ishin fjalët që Lukaku i tha tifozëve së fundmi. Por këto fjalë duket se janë harruar shpejt nga lojtari belg.
Fabricio Romano ka bërë me dije se Romelu Lukaku ka arritur marrëveshjen verbale me “Zonjën e Vjetër”. Bëhet fjalë për një bashkëpunim 3-vjeçar mes palëve dhe tashmë pritet vetëm firma në kontratë për të zyrtarizuar gjithçka./Halit Delibashi-Sport Ekspres/