Në ditën e sotme janë luajtur dy takimet e radhës të Superiores. Vëmendjen kryesore e mori derbi mes Laçit dhe Kukësit. Të dy këto ekipe ndodheshin në zonën e ftohtë me një nisje për të ardhur keq. Por verilindorët e drejtuar nga ana e Dobit kanë arritur të fitojnë me shifrat 0-1. Goli i vetëm u shënua nga sulmuesi Barbosa, që me kokë arriti të linte në vend tre lojtarët e Laçit.
Pjesa e parë i takoi Kukësit, që u shfaq më tepër e rrezikshme. Ndërkohë në 10 minutat e dyta kishim një zgjim të Laçit që po e kthente ndeshjen me një portë, por në disa raste Tafas dhe në tjera mbrojtja, arritën ta mbajnë të paprekur rrjetën e tyre. Kështu Laçi shkon në vendin e fundit të Superiores. Nga ana tjetër nuk kishte fitues te Egnatia-Kastrioti. Pavarësisht dëshirës së lojtarëve për të shkuar te goli, të dy këto skuadra duhet të ndanin pikët. Më poshtë gjeni intervistat e trajnerëve për “Oversport”:
Cela: “Të vish të luash këtu në Rrogozhinë është bërë kënaqësi. Kushtet, ambienti këtu, janë perfektë. Vetëm dy minuta kishim kohë që të përgatisnim ekipin pas nxehjes, pasi Egnatia kishte ndryshuar komplet skemën. E kontrolluam lojën. Unë jam shumë i kënaqur nga ekipi. Rastet ishin nga ana jonë. Një rast ia dhuruam ne në pjesën e parë dhe pastaj ishim ne në fushën e lojës që po sulmonim”.
Dobi: “Kukësi është i Kukësit, ende jo i Dobit. Ky ekip tregoi karakter dhe dinjitet. Sot treguam pjekuri. Nuk duhet të kënaqemi vetëm me kaq. Ky është një kilometër i vogël në një autostrad të gjatë. Duhet të kemi vazhdimësi, sot nuk ishim të përkryer. Gjërat në futboll kërkojnë kohën e tyre, duhet të jesh këmbëngulës. Duhej të bënim më mirë në kundërsulm në pjesën e dytë”.