Egnatia është finalistja e dytë e “final four”-it. Rrogozhinasve u ka mjaftuar një barazim 0-0 mbrëmjen e sotme për të kaluar me sukses në finale. Skuadra e Edlir Tetovës ka eliminuar në “Air Albania” Vllazninë, në një përballje që përfundoi me rrjeta të paprekura. Rrogozhinasve iu anulluan dy gola gjatë takimit.
Fillimisht Zejnullahi shënoi një gol nga jashtë zone në pjesën e parë të lojës. Por festa ngriu shpejt. VAR-i ndërhyri dhe arbitri shkoi të shihte në monitor pamjet. Pas një prekjeje të topit me dorë, gjyqtari vendosi të anullonte golin. Ndërohë, në minutën e 78 ishte Montenegro ai që e dërgoi topin në rrjetë, por dukshëm kishim të bënim me një pozicion jashtë loje. Ndeshja përfundoi në baraspeshë 0-0, duke i dhënë biletën e finales Egnatias. Rrogozhinasit do të përballen me Partizanin më 26 maj, në një duel që do të përcaktojë fituesin e edicionit 2023/24 të “Abissnet Superiore”-s./Halit Delibashi-Sport Ekspres/