Nga Klaudio Ndreca
Keidi Bare duket se është shumë pranë transferimit në ekipin e ri. Sipas të gjitha gjasave do të jetë Espanjoli klubi i mesfushorit shqiptar, i cili ka dalë në vendin e fundit të “La Liga” dhe në sezonin e ardhshëm do të luajë në Segunda Division.
Në fakt Malaga ka refuzuar ofertën e bërë nga Espanjoli vetëm pak ditë më parë, por po vazhdojnë negociatat që priten të mbyllen me sukses. Sipas asaj që raportojnë mediat në Spanjë, Malaga kërkon 2.5 milionë si shifrën më të ulët për të lënë të lirë Baren.
Në konferencën për shtyp të mbyllur disa minuta më parë ishte drejtori sportiv i Espanjolit, Rafete. Ky i fundit u shpreh se Bare po kërkohet që të mbyllet si transferim përpara gjetjes së trajnerit të ri, por nuk ka kërkuar më shumë telashe edhe për respekt të klubit të Malagës, atje ku ka qenë si futbollist.
“Keidi Bare është lojtar i shkëlqyer. I përket një klubi fantastik si Malaga. Natyrisht ne jemi duke punuar për të, megjithëse nuk kemi ende një trajner. Duam që ta kemi në tryezë tani. Shpresojmë që të jetë mbyllur shpejt në mënyrë që trajneri kur të vi të ketë mundësinë e zgjedhjes. Por nuk dua ta komentoj gjatë Baren, sepse i përket një klubi tjetër dhe nuk duam të themi diçka që mund ta shqetësojë”, u shpreh Rafete. /Sport Ekspres/