Trajneri Reja ka folur në konferencën për shtyp para ndeshjes së Shqipërisë me Andorrën. Tekniku italian ka kujtuar vlerat që ka Anglia dhe lojtarët se ku luajnë, për të bërë krahasimin me kuqezinjtë. Gjithashtu një vëmendje e madhe i përkushtohet Andorrës për të marrë fitoren, që të na dërgojë në vendin e tretë. Kur flitet për pengun e vetëm, është padyshim ajo ndeshje e humbur në Air Albania ndaj Polonisë.
“Pas humbjes 5-0 është e vështirë që t’i ngresh moralin skuadrës. U mundëm nga Anglia, grupi aktual i tyre është një nga më të mirët që ka pasur në histori. Ata luajtën shumë mirë ndaj nesh, ishin perfekt. Tani duhet ta harrojmë atë humbje dhe duhet të gjejmë motivimin për të fituar ndaj Andorrës. Kemi treguar se jemi rritur, në bilancin total na mungon diçka vetëm me Poloninë pasi në të tjerat, jemi sipas llogarive. Na duhet dhe një sforco e fundit për t’i mbyllur mirë këto kualifikuese, mos të harrojmë që Andorra na ka bërë të vuajmë.
Duhet të bëjmë gjithçka për t’ia arritur qëllimit tonë për vendin e tretë. Kemi gati 10 mungesa, ne kemi punuar në gjithë këtë kohë për të ardhmen tonë, nuk do ta bëjmë vetëm ndaj Andorrës. Unë do të nxjerr ekipin më të mirë në fushë dhe kanë mundësinë e tyre lojtarët që nuk ishin me Anglinë. Por duhet të kemi kujdes kundër Andorrës, mos ta rrezikojmë veten në asnjë moment, duhet të kemi durimin dhe përqendrimin e duhur.
Broja? Salihi ka qenë për ta parë në ndeshjen e fundit në Angli. Kishte shqetësime në kavilje dhe po punonte me mjekët e Southamptonit. Kemi qenë në kontakt të vazhdueshëm, mjekët e Shqipërisë po kontaktonin me mjekët e Southampton. Sigurisht që do të ishte më mirë ta kishim këtu. Erdhi një ditë para ndeshjes kundër Anglisë, e pashë se nuk ishte mirë akoma dhe për këtë arsye u dërgua në pankinë. Më pas na kërkoi leje pasi nuk po ndihej mirë nga kavilja dhe kishte sërish shqetësime. E kemi lënë dhe kaq e thjeshtë është historia.
Djema, i kuptoj kritikat tuaja pas një humbje, por mos ta teprojmë. Të kritikosh se përse humb kundër Anglisë, kur lojtarët e tyre luajnë titullar në klubet më të mira të Premier League. Ne po përballeshim ndaj një ekipi që ishte maksimalisht i impenjuar, ishin me 100% e tyre, ndërsa ne kishim shumë mungesa. Sigurisht që na vjen keq që humbëm me këto shifra. Unë e kam këtu listën e Shqipërisë dhe duhet të jemi pak të ndërgjegjshëm dhe më të saktë në gjykim kur flasim për krahasimin me Anglinë. Lojtarët e tyre janë në momentin më të mirë në kampionat. Nuk duhet të sulemi me kritika pas një humbje. Pengu ynë i vetëm është Polonia dhe nëse do t’i kishim të gjithë lojtarët, me siguri që nuk kishim për të humbur”, tha Reja. /Elio Hajdari-Sport Ekspres/