Ekskluzive/ “Manaj e la në baltë, nuk do na shënonte kurrë Polonia”! Rraklli: Ja pse i ndodhin Uzunit rastet e humbura, këtu të fusin thellë në tokë pas humbjes

Nga Klaudio Ndreca

Mentaliteti i Ballkanit dhe veçanërisht i Shqipërisë, është shumë ekstrem për vetë mënyrën sesi përjetohet suksesi dhe dështimi i një ndeshje futbolli. Papritur mund të kalosh nga “heronjtë e një kombi”, në “turpin e një kombi”. Sigurisht që në të dy rastet dozat janë të shtuara dhe të ekzagjeruara, por gjithçka ndryshon për vetëm 90 minuta.

Në një intervistë të gjatë për “Sport Ekspres”, figura e njohur e Kombëtares, Altin Rraklli flet për të gjitha. Rastet e humbura të Uzunit i shpjegon më së miri, dikur i ndodhin edhe vetë në fushën e blertë. Për Rejën nuk ka shumë kritika, kërkoi të merrte maksimumin në Wembley pasi vetëm tre pikët do të na bënin punë. Në fund, nuk mund të lihet pa u prekur edhe çështja e mentalitetit tonë.

Humbja e Shqipërisë ndaj Anglisë. Çfarë shije të ka lënë në përgjithësi?

Sipas asaj që unë e kuptoj futbollin, e njoh mentalitetin e Kombëtares, ekipin, ndeshja me Anglinë kishte veçorinë dhe karakteristikat e veta speciale. Po luanim në Wembley dhe është ndjenjë ndryshe nga stadiumet e tjera. Ka luajtur një rol edhe kjo te lojtarët. Anglia e donte me patjetër fitoren dhe ekipe të këtij rangu, janë maksimalisht të impenjuara. Të gjithë lojtarët e Anglisë kanë dhënë maksimumin e tyre, 100% dhe kjo ndikoi në nisje të takimit. Lojtarët tanë ishin të hutuar ende nga Wembley, nuk duhej të ndodhte. Trajneri ynë u fut në këtë ndeshje për të kapur diçka, ndoshta edhe për ta fituar. E simpatizova vendosjen taktike, por ose të rrezikoje tamam, ose fare. Për mua ai rrezikoi në gjysmë. Do të ishte më e udhës që të fuste sulmues tipik, do të preferoja Roshin ose Lenjanin. Me sulmues të avashtë ndaj një ekipi si Anglia, e ke të vështirë që të realizosh.

Nga shumëkush është komentuar si fundi i botës dhe papritur nga “heronj”, lojtarët janë kthyer në “turpi i kombit”. Sa e vështirë është për një futbollist që të përjetoj këto ndryshime drastike të komenteve?

Këto djemë që luajnë sot te Shqipëria, janë rritur në mentalitet perëndimor, nuk e kanë problem pjesën e komenteve. Wembley është shtëpia e futbollit dhe për shumëkënd do të luante rol ndikues. Mentaliteti ynë si popull është i tillë, ose të ulim poshtë në tokë, por thellë në tokë ama, ose të ngremë në qiell. Shumë më ndryshe nga perëndimorët që ta japin me doza më të vogla, janë më të ftohtë. Gjithsesi do të harrohet, do të fitojmë me Andorrën dhe marrë vendin e tretë. Kur të bëhen kalkulimet totale, kjo arritje është shumë e mirë. Ne kemi fituar dy ndeshjet me Hungarinë dhe ishim perfekt. Nuk është e lehtë të mundësh Hungarinë, mos e harroni këtë gjë, por sigurisht që duhet të jemi me këmbë në tokë pasi Hungaria nuk krahasohej para Anglisë dhe Polonisë.

Presingu lart i Rejës, 7 lojtarë tanë në gjysmëfushën e Anglisë. Ishte guxim apo çmenduri?

Është guxim, nuk është çmenduri kjo. Është ndeshje e humbur në letër, për më tepër që e donte me patjetër fitoren Anglia. Ndërsa ne donim me patjetër tre pikëshin për kualifikim dhe ishte e logjikshme që do të luante në këtë mënyrë Reja. Anglia shënoi shpejt dhe iu lehtësua puna, nuk do ta kishin të lehtë nëse Uzuni do të shënonte. Do t’i dridheshin këmbët nëse shënonte Uzuni pasi e kërkonin me patjetër triumfin, mos harroni që edhe Hungaria i mori pikën në shtëpi.

Po çfarë po ndodh me Myrto Uzunin? Është e disata herë që gabon para portierit, ndërsa te Ferencvarosi po shpik gola…

Të luash në Wembley, me 80.000 veta, nuk është e lehtë. Unë e kuptoj Uzunin, shënon te Ferencvarosh, nuk krahasohet niveli i kampionatit të Hungarisë me këto nivele të Kombëtares. Është më e lehtë atje që të shënosh. E goditi topin kur duhej, duhet të gjente prerjen më perfekte. Nëse do të vononte dhe pak, nuk do i dilte mirë pasi po i vinte mbrojtësi me vrapim. Uzuni është lojtar që punon shumë, krijon shumë dhe kjo flet për atë. Nuk është gjithmonë i freskët para portës, e kam pasur vetë këtë problem, nuk kam qenë i qetë para portës, nuk kisha ftohtësinë e duhur dhe nuk isha i kthjellët pasi vrapoja për skuadrën. Punon shumë, vrapon shumë, por siç e thashë që duhet të jesh i freskët para portës pasi ndryshe nuk logjikon shumë mirë se ku do ta dërgosh topin.

Rei Manaj. Shumë tifozë janë gëzuar nga lënia jashtë e këtij sulmuesi, por mesa duket, nuk ishte ai problemi i Shqipërisë…

Rei Manaj dhe Broja kërkojnë që t’i zgjidhin individualisht situatat. Rei Manaj kishte shanset e Shqipërisë në këmbë, nëse do ta pasonte te Uzuni, Polonia nuk kishte shanse ta fitonte atë ndeshje. Ishim taktikisht perfekt, Polonia nuk kishte asnjë rast të vetëm. Ishte vetëm një neglizhim i vetëm në rastin e golit. Imagjinoni që të shënonim ne të parët, me ata tifozë, nuk kishte shans të vetëm që Polonia të shënonte një gol. E la ekipin tonë në baltë në atë moment dhe unë të isha nuk do e fusja me Anglinë këtë sulmues, Rei Manaj nuk do të kishte më vend, nuk kishte më logjikë.

Po sa i përket zhgënjimit të Hysajt në gjithë rrugëtimin dhe kualifikueset e Botërorit?

Ndoshta ne presim më shumë sesa Hysaj mund të japi realisht. Ndoshta nuk bie në sy loja e tij, por përpiqet dhe ndihmon me sa mundet. Hysaj nuk është Dani Alvesh, mos ta ekzagjerojmë, nuk ka mundësi që t’i japi Shqipërisë atë që presin njerëzit. Ka pasur luhatjet e tij dhe i përshtatet ekipit dhe nivelit.

Më tepër mendojnë se vuajmë ndoshta edhe mendjemadhësia për elozhet e shumta apo nga ndjenja e inferioritetit karshi kundërshtarëve?

Kam dëgjuar deklarata të ndryshme, kur bëhet krahasime se ky është ekipi më i mirë i historisë së Shqipërisë, se ky është lojtari më i mirë i historisë së Shqipërisë. Nuk më duket se janë të duhurat. Shqipëria është ende e vogël, nuk jemi Brazili dhe as Gjermania, nuk e kemi fituar ende një trofe për këto lloj krahasimesh. Sigurisht që jemi një skuadër shumë e rritur në nivel dhe me organizim shumë herë më të mirë, kjo nuk diskutohet, por rruga e duhur duhet të jetë ajo e punës hap pas hapi dhe të shmangim këto lloj krahasimesh që e ç’orientojnë skuadrën dhe e nxjerrin nga realiteti. /Sport Ekspres/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

where can i buy doxycycline over the counter buy doxycycline online