Dikur e quanin Ibrahimoviçi i ri. Flasim për një sulmues me origjinë shqiptare, por që ka lujatur për moshat e Suedisë dhe për kombëtaren olimpike të këtij vendi. Quhet Valmir Berisha dhe në “CV” e tij liston ekipe si Roma e Panathinaikos.
Së fundmi ka nënshkruar për Velez Mostar, ekip që luan në ligën e dytë boshnjake dhe synon rikthimin në elitë. Do të jetë shok skuadre me Damir Rovçanin, i cili ka provuar të luajë me Laçin në kupat e Europës në dy takime kundër Diferedanzh. Gjithsesi mbetemi te Berisha,karriera e të cilit ka pasur një trajektore të çuditshme.
KARRIERA – Halmstad ka qenë klubi ku sulmuesi nisi të shkëlqejë. Në fakt, sytë te Berisha u ngulitën në vitin 2013, kur sulmuesi ishte pjesë e Suedisë U17. Në kualifikuese arriti të shënonte 5 gola në tetë ndeshje, kurse më pas në Botërorin e 17-vjeçarëve shpërtheu duke realizuar 7 herë në po kaq ndeshje.
Suedia shkoi deri në gjysmëfinale, ku u mund nga Nigeria. Këta të fundit u shpallën edhe kampionë bote më pas, kurse Berisha iu gëzua vendit të tretë. Sulmuesi ishte protagonist, duke i shënuar Argjentinës 3 gola në fitoren 4-1 që regjistroi Suedia U17.
Klubet që u vunë pas tij ishin të shumta. Ajaksi, Milani, Sëlltiku, Sunderlendi dhe Totenhemi synuan ta bindnin sulmuesin. Ai dëshironte të luante dhe u bind nga Roma, që i ofroi Halmstad shumën e 500 mijë eurove. Te italianët pati mundësinë të stërvitej krah Françesko Totit dhe u grumbullua në dy ndeshje që verdhekuqtë fituan kundër Milanit dhe Atalantës në prill të vitit 2014.
Sigurisht që te Roma ishte e vështirë të zije vend dhe italianët menduan ta huazojnë. Fillimisht kaloi në Greqi te Panathinaikos, ku u aktivizua vetëm 10 minuta. Më pas ishte Cambuur stacioni i radhës në karrierën e tij. Në Holandë luajti 6 takime dhe nuk e provoi shijen e golit. Karriera e tij po merrte për poshtë.
Alesundi u mundua të “rilindë” sulmuesin, që tanimë është vetëm 22 vjeç në fakt. Dy ndeshje titullar në vitin 2017, ndërkohë që luajti në total 23 takime. Asnjë gol i shënuar. Më pas u huazua në Islandë te Fjolnir. Aty luajti më shumë, teksa numëron 18 takime (13 titullar) dhe dy gola të shënuar në kampionat, si dhe dy në kupë. Në janar u rikthye te Alesundi dhe së fundmi mori një ofertë Velez Mostar. Fillimisht nuk donte të transferohej në Bosnje-Hercegovinë.
“Kur dëgjova për mundësinë e kalimit në Bosnje-Hergovinë, nuk isha i interesuar. Më pas pashë ndeshjen Velez-Shiroki Brijeg dhe u befasova nga forca e ekipit. Më pas nuk kishte më dilema për mua dhe pranova ofertën. Kontaktova familjarët e mi, miq dhe disa futbollistë, mbi të gjithë babanë tin, i cili më tha që nuk dija se sa klub i madh ishte Velez dhe se çfarë ka përfaqësuar në të shkuarën në ish-Jugosllavi. Ai ishte jashtëzakonisht i lumtur që do të bëhesha lojtar i këtij klubi”, tregon 22-vjeçari, që do të kërkojë të jetë i rëndësishëm sërish.