Nga Klaudio Ndreca
Armand Rada, një futbollist disi i harruar kur dikur kishte gjithë vëmendjen e mediave dhe tifozëve. I formuar tek akademia e Interit, Shqipëria kishte luksin që në grupmosha të kishte në organikën e saj Radën. Gjithmonë duke bërë diferencën në fushën e lojës dhe vlerësime maksimale do të merrte nga Bogdani, i cili u shpreh publikisht se mesfushori në fjalë do të kishte një të ardhme të ndritur te Kombëtarja.
Planet nuk shkuan në mënyrën e duhur dhe Rada përfundoi te Renate në Serinë C. Atje gjendet edhe Elvis Kabashi, një tjetër emër i njohur për tifozët shqiptarë. Kohë më parë kur ky lojtar ishte pjesë e Juventusit do të refuzonte Shqipërinë me një letër duke kërkuar që të mos e ftonte më pasi po priste Italinë.
Por më pas faji do t’i lihej i gjithi menaxherit, ndërsa Kabashi ka thënë se ëndërron vetëm Shqipërinë dhe se gjaku në venat e tij është shqiptar, duke mos pasur asnjë mëdyshje. Në këtë sezon të gjitha golat janë festuar me shqiponjë nga Kabashi si një mesazh, ndërsa në Itali u raportua se ka edhe vëmendjen e trajnerit Reja.
Së fundmi është “Gianluca Di Marzio” i cili shkruan se për dy lojtarët shqiptarë ka shumë interes në merkato. Renate ndodhet në vendin e parë në Serinë C dhe për këtë arsye kreditet e tyre rriten së tepërmi. Sa i përket Elvis Kabashit raportohet se kërkohet nga gjysma e ekipeve të Serisë B, madje ka edhe disa klube të Serisë A që janë të interesuara për shërbimet e lojtarit që ka shënuar 5 gola këtë vit, ku i fundit ishte ai që vendosi fitoren ndaj Juventusit U-23.
Ndërkohë edhe për Armand Radën janë disa ekipe të Serisë B që kërkojnë ta transferojnë nga Renate, ku duhet theksuar se mesfushori është vetëm 21-vjeç dhe është gati që të kap “mundësinë e dytë” që do t’i ofrohet brenda pak kohësh. /Sport Ekspres/