Kosova ka barazuar pa gola kundër Rumanisë në ndeshjen e luajtur mbrëmjen e sotme në “Fadil Vokrri“. Ky është barazimi i tretë radhazi për dardanët, të cilët vështirësojnë edhe më shumë rrugën e tyre për në Europianin e vitit të ardhshëm.
Edon Zhegrova tundi rrjetën në minutën e 69, por VAR-i ngriu buzëqeshjet në fytyrat e lojtarëve. Goli i konsiderua si i parregullt, duke lënë në fuqi rezultatin 0-0, i cili mbeti i pandryshuar deri në vërshëllimën e trefishtë të arbitrit. Menjëherë pas ndeshjes, Amir Rrahmani është ankuar për gjendjen e fushës.
“Na mungoi goli, pasimi i fundit dhe goditja e fundit, e dhamë maksimumin, ishte e vështirë. Kemi pritë që fusha do jetë në gjendje të rëndë, por nuk e dinim që do ishte kaq keq, topi nuk qarkullonte mirë.
Po të kishim fat tani do kishim 9 pikë. Në këto lloj fushash nuk mund ta shprehim kualitetin tonë. Nuk do dorëzohemi pasi kemi ende ndeshje, po japim maksimumin, po na penalizon fusha. Këto rezultate nuk tregojnë pasqyrimin e lojës tonë në fushë”, tha Rrahmani. /Sport Ekspres/