Erzeni ishte hirushja e Superiores deri tani. Ky ekip jo vetëm që nuk e kishte njohur humbjen deri tani, por nuk kishte pësuar ende asnjë gol. Kodin e kasafortës ia ka gjetur Bylisi, që arriti të tundte 4 herë rrjetën.
Dy gola u shënuan në 24 minutat e para, me Lajthian dhe Kacorrin që shfrytëzuan goditjet e këndit. Shumë raste të shpërdoruara më pas nga Bylisi, ku Beji mund të shënonte edhe dy herë të tjera në pjesën e parë.
Gjithsesi, sulmuesi e ndëshkoi Erzenin në të dytën, pas një dhurate nga portieri kundërshtar. Miqtë ngushtuan diferencat me anë të Souza në minutën e 70, ndërsa Ferreira realizoi të katërtin në të 89. Më poshtë gjeni intervistat e trajnerëve pas takimi për “Oversport”:
Bellai: “E dinim që Erzeni nuk kishte pësuar, e dinim që do bënim gola dhe gjetëm katër. Ekipi ishte përgatitur edhe në Kupë, na ndihmuan edhe lojtarët që u futën nga stoli. Që ditën e parë të stërvitjes punuam duke e studiuar Erzenin si në cilësitë që ka, duke e sulmuar në anët e dobëta. Vertikalizimt dhe goditjet standarte na ndihmuan shumë sot, i kishim punuar. Unë i them Erzenit suksese, janë ekip i mirë dhe me një humbje nuk duket ekipi. Pas golit të tretë i dhashë mundësi lojtarëve që të qetësohen dhe bëra disa ndërrime, ndaj ulëm ritmin e lojës. Të bëjmë mirë në qarkullimin e topit. Bellai për Kombëtaren? Unë e kam veshur atë fanellë të rëndë. Kushdo qoftë aty unë e respektoj për simbolin në fanellë. Ta harrojnë nga çfarë klubesh vijnë, puna duket në lojë. Unë jam i vogël për pozicionin e trajnerit. Duhet të punoj më shumë”.