E dini se Shqipëria i shpëtoi karrierën Armando Brojës dikur? Histori për t’u kthyer në film, “i ktheu borxhin” personave që i shtruan rrugën

Nga Klaudio Ndreca

Të gjithë flasin për shpëtimin që Armando Broja i ka bërë Kombëtares, për ta dërguar në vendin e dytë dhe ku jemi vetëm një finale larg daljes nga grupe për në Play-Off-in e Botërorit. Për të gjithë ata që pyesin: “Po çfarë kemi bërë ne për ta merituar këtë djalosh të artë?”, e ka një përgjigje.

Disa kohë më parë kur Armando Broja është rrëfyer për prestigjozen “Goal”, tregon sesi Kombëtarja e Shqipërisë i shpëtoi karrierën. Në kohën kur sulmuesi në fjalë ishte pjesë e U-17 të Chelsea-t, nuk po kalonte një sezon të mirë. Teksa qëndronte në stol për pjesën më të madhe të ndeshjeve, lojtari kishte humbur gjithë besimin te vetja duke u stërvitur pak dhe shpërdoruar shumë para porte.

Situata ishte jo pak serioze dhe prindërit po e shtynin që të mos largohej nga futbollit në atë moment. Papritur do të vinte ftesa e Shqipërisë me grupmoshat e saj, që kërkon ta kishin Brojën në gjirin e tyre.

“Në vitin e parë në ekip te Chelsea, kur isha 17 vjeç, nuk pata një sezon të mirë. Isha në stol dhe kur nuk merr një shans vuan. Shënova dy gola gjatë gjithë sezoni dhe isha me të vërtetë i pezmatuar. Prindërit po përpiqeshin të më ndihmonin dhe të më inkurajonin, por unë e kisha humbur besimin.

Edhe në stërvitje humbja shumë raste dhe luaja pak. Pastaj prindërit më nxitën të luaja me Shqipërinë, që më kishte thirrur të luaja me ta në verë. Bëhej fjalë për kombëtaren e 19-vjeçarëve. Mendova se do ishte gjëja e duhur të shkoja, të merrja pak besim në një skuadër tjetër dhe me lojtarë të tjerë. Kisha nevoja ta hiqja mendjen nga Chelsea”, do të shprehej Broja për “Goal”.

E teksa karriera e Armandos është siguruar, tanimë Shqipëria po kujdeset që të shkojë sa më larg. Fakt është se te Kombëtarja e Shqipërisë ky sulmues ka shënuar dy gola me Hungarinë që kanë rrëmbyer vëmendjen e mediave europiane, ndërsa te Southampton nuk e ka gjetur ende golin e parë. Për këto realizime me Shqipërinë mjaftuan si një vitrinë e mirë që përfaqësues të Fenerbaces të vijnë në Air Albania për ta ndjekur ndaj Polonisë.

Por nga ana tjetër Armando Broja na ka shpëtuar dhe është arsyeja se përse Shqipëria ndodhet në këtë pozicion tani. Dashuri e madhe, nuk bëjnë dot pa njëri-tjetrin dhe njëkohësisht “shpëtim”, për të dyja palët. Kjo histori është e denjë për t’u bërë film, por që të merrte çmimet më të larta, kërkon një mbyllje me aromë Botërori. /Sport Ekspres/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *