Ka përfunduar me rezultatin 2-1 finalja e Kupës së Shqipërisë mes Vllaznisë dhe Laçit. “Air Albania” pushtohet nga festa kuqeblu pas vërshëllimës së trefishtë të gjyqtarit. Janë dashur 120 minuta lojë për të përcaktuar fituesin e këtij trofeu, i cili në fund përfundon në duart e Vllaznisë.
Laçi kaloi i pari në avantazh, teksa në minutën e 4-t, Guindo shtang Zogoviçin me golin e tij. Megjithatë kuqeblutë nuk u dorëzuan për asnjë moment dhe kërkuan me ngulm golin, i cili erdhi në minutën e 17. Latifi u tregua i jashtëzakonshëm në krahë, nga ku dhuroi një asist perfekt për Hoxhajn. Ndërkohë goli i fitores do të vinte në minutën e 94-t, kur Adili shënoi një gol të çmendur nga distanca.
Një sukses i madh ky për Vllaznië, që me këtë fitore siguron edhe një biletë për në Kupat e Europës, objektiv të cilin nuk e mbërriti dot përmes kampionatit. Pas përfundimit të finales, protagonistët kanë dhënë intervistat e tyre për “Gol pas Goli” në “Supersport”.
Gurishta (Vllaznia): “Po ndaj një sekret me ju. Kemi 4 ditë që jemi grumbulluar dhe në këto katër ditë u kam thënë të gjithë shokëve që kemi për të fituar. Të njëjtën ndjesi e kisha edhe me Partizanin. Që nga largim i Bradariçit skuadra kishtë pësuar një goditje psikologjike. Isha i sigurt që do ta arrinim Europën. Në ndeshjen me Kukësin i kam thënë skuadrës që duhet të fitonim 2-0 për të shpresuar në kualifikimin nga kampionati. E dija që fund gara nuk do të ishte fair-play. Kjo Kupë më shijon më shumë, sepse kundërshtari ishte më i fortë. Interesim nga kryeqyteti? Interesim ka pasur. Unë jam në kontratë me Vllazninë. Nëse një skuadër dëshiron, duhe të paguajë kartonin te klubi. Por unë e kam thënë që në Shqipëri nuk lëviz, qendroj vetëm te Vllaznia. Nëse vjen një ofertë nga jashtë, me gjithë dëshirë do të lëvizja, sepse kampionatet janë më cilësorë se ai i Shqipërisë”.
Xhaferi (Vllaznia): “Duhet të jemi të kënaqur. Viti i dytë radhazi që merret Kupa nga Vllaznia. Është historike. Nuk ka ndodhur më parë. Marrja e Kupës ishte shpëtimi i sezonit. Skuadra është më e qetë. Kam firmosur tre objektiva, fitorja e Kupës, kampionat, ose kapja e Europës. Nuk duhet të jemi pushim. Ardhja e Josës është diçka fantastike. Të konkurojmë denjësisht në Kupat e Europës. Kur jemi ulur me profesorin na ka ngjitur. Kur parapëlqej dikë unë preferoj të punoj gjatë. Brdaricin e mbajtëm gati dy sezone. I njëjti projekt është edhe me profesorin. Vllaznia ka bërë disa gabime. Në momente të caktuara ka munguar edhe goli. Por është bërë gabim edhe në selektim. Ndërrimi i tre trajnerëve brenda një sezoni nuk ka qenë një gjë e mirë. Kjo ka ndikuar te Vllaznia”.
Duro(Laçi): “Pavarësisht çdo gjëje, primare është fitimi i Kupës. Kemi qenë më kërkues se Vllaznia. Sigurisht që janë finale që vendosen nga episode të veçanta. Goli në shtesa ishte një goditje e mirë e Adilit, por ishte edhe një mospërqendrim i portierit. Ai gol vendosi ndeshjen. Si lojë, kam mendimin që skuadra dha maksimumin. Por finalet janë të tilla që s’duhet të gabosh. Më ngeli pishman ai goli i dytë, sepse e shikoja Vllazninë që edhe në shtesa, edhe në pjesën e dytë, nuk e kishte rrezikshmërinë ndaj nesh”.
Josa (Vllaznia): “Në momentin e vërshëllimës, duke qenë se do vazhdoj të jem trajner i Vllaznisë. E rëndësishme është që klubi arriti objektivat. Nuk është i pakët fitimi i Kupës. Edhe më parë jam shkarkuar nga klubi pas gjysmëfinales së parë dhe tani qëlloi që u shkarkova nga detyra në gjysmëfinalen e parë dhe i plotësova objektivat me një ekip tjetër. Zgjidhjet nuk ishin ato që unë kërkoja në raste të veçanta. Duhet kohë që të sistemosh një model loje të tillë. Ia dedikoj fitoren gjithë hallkave që ka klubi. Trajneri më i titulluar? Kam qenë edhe para kësaj Kupe. Shumë njerëz kanë qenë skeptikë. Por kur i plotëson klubi objektivat e veta, i kam plotësuar edhe unë të miat. E kam mendjen tani se çfarë do të bëhet me skuadrën”./Halit Delibashi-Sport Ekspres/