Nga Klaudio Ndreca
Mirlind Daku, që përpara nisjes së këtij sezoni e kemi cilësuar këtë sulmues si një “Muriqi të ri”. Pavarësisht eksperiencës së dështuar te Kukësi, atje ku asnjëherë nuk arriti që të dilte përtej hijes së Vasil Shkurtajt, padyshim që verilindorëve u iku nga duart dhe nuk shfrytëzuan në maksimum një mundësi të artë.
Ashtu si në fakt edhe në rastin e Muriqit, një tjetër lojtar që ka qenë pjesë e Superiores dhe tanimë mbron fanellën e Lacios. Por ku shihej potenciali i Dakut? Në kohën që luante te Llapi në Kosovë kishte statistika të frikshme për golat e shënuar, aq sa Munishi u shpreh se nuk duhej të largohet për më pak se një milionë euro, pavarësisht se ishte në Kosovë.
Te Osijeku nuk do të shprehte më të mirën për shkakun e dëmtimeve të shpeshta, ndërsa pas kësaj aventure mbërriti edhe momenti për të qenë pjesë e Kukësit. Pa harruar këtu edhe potencialin e jashtëzakonshëm që Daku e treguar përgjatë gjithë kësaj kohe me Kosovën U-21, duke qenë i vetmi që ka bërë diferencën.
E ku do të jetë e ardhmja? Media prestigjoze në Itali kanë raportuar së fundmi se Mirlind Daku është vendosur në radarin e Lacios dhe të Torinos. 15 golat e realizuara në 8 ndeshje kanë sjellë interesimin e ekipeve të njohura në Itali, që mund të bëjnë një lëvizje konkrete në merkaton e dimrit nëse sulmuesi do të vazhdojë me këtë formë. Jehona e këtyre statistikave të frikshme ka mbërritur në Francë dhe Itali me shkrimet e mediave që nuk mund të qëndronin indiferente. /Sport Ekspres/