E bujshme/ “Po sikur t’i marrim të dy?”? Vertoghen dhe Kumbulla, Interi i bën ofertën e veçantë Veronës dhe pranë marrëveshjes

Nga Klaudio Ndreca

Për të blerë Marash Kumbullën ka një konkurrencë të madhe në këto kohë dhe nuk është aspak e lehtë për ta fituar këtë garë. Por për Interin do të jetë disi më e lehtë dhe zikaltrit janë të avantazhuar, pasi pikësëpari është vetë dëshira e mbrojtësit që të transferohet aty.

Sigurisht që nuk mund të mbyllet me kaq, pasi oferta duhet të lërë të kënaqur edhe vetë Veronën. Megjithatë Marota po paraqitet me një ofertë krejtësisht të veçantë për Kumbullën, që lë të kënaqur skuadrën aktuale që i zotëron kartonin.

Sipas asaj që raporton “Tuttosport”, Interi e ka zgjidhjen për t’i dhënë fundin kësaj çështje. Më herët është folur shumë edhe për një balotazh mes Vertoghen dhe Kumbullës, se për cilin prej tyre do të vendosej që të blihej nga ana e Interit. “Po sikur të merren të dy?”.

Është kjo ideja e paraqitur nga Marota, ku po kërkohet edhe marrja e mbrojtësit nga Totenhemi. Por nuk është për prespektivën e largët, pasi bëhet fjalë për një lojtar 33-vjeç. Nga ana tjetër, Interi do të paguajë një shifër që flitet të shkojë në 25-30 milionë euro, duke e lënë njëkohësisht edhe në huazim për një vit tjetër Kumbullën te Verona. Pra në këtë mënyrë mbrojtësi do të piqet më tepër dhe do të jetë gati për të bërë kalimin e madh, megjithëse kartoni i tij mund të zotërohet nga Interi brenda pak kohësh. /Sport Ekspres/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *