E bujshme/ Kukësi dhe skandali me Valon Et’hemin, lojtari i kthen me të njëjtën monedhë dhe në gjyq për shpifje

Valon Et’hemi dhe Kukësi kanë përfunduar nga një lidhje e ngushtë dashurie, në një divorc mes urrejtjes dhe që do të përfundojë në gjyq. Nga viti 2017 ishte ky futbollist që po jepte kontribut me verilindorët, madje duke shkëlqyer në fushën e lojës.

Pasi e sfidoi veten me sukses në Superiore, Et’hemi kërkoi një eksperiencë të re jashtë Shqipërisë. Teksa i njoftoi të gjithë për largimin dhe e mbylli me një urim për të gjithë drejtuesit e skuadrës, vjen edhe e papritura.

Sulmuesi 22-vjeçar e kishte mbyllur marrëveshjen me Zaglebie Lubin dhe ishte gati për të bërë testet mjekësore. Këtu futet në lojë Kukësi që sipas “Infosport.mk” ka bërë gjithçka për t’i prishur punën lojtarit në eksperiencën e re, madje duke ia dalë deri diku.

Fillimisht duke njoftuar se Et’hemi kishte edhe tre vite të tjera kontratë me klubin, por pas konfirmimeve të dokumentave kjo do të hidhej poshtë. Në një mundësi të dytë Kukësi ka kërkuar sërish në tryezë futbollistin 22-vjeçar, por duke mos i’u afruar as gjysmës së kontratës që i jepnin ekipet e tjera në ofertë.

Kur Et’hemi ndodhej te Zaglebie, ka mbërritur edhe një shkresë zyrtare e Kukësit drejt ekipit polak për t’i treguar se kishin në skuadër një futbollist të verilindorëve. Kjo pasi nënkampionët e Shqipërisë pretendojnë se kontrata e përpara tre viteve e mban Et’hemin në skuadër edhe për Europën e këtij sezoni.

Nga pala tjetër kjo konsiderohet e pakuptimtë dhe bie si pikë pasi nëse Kukësi do të futej në grupet e “Europa League” do të thotë që të jetë pjesë e skuadrës edhe për një sezon tjetër. Nga gjithë kjo tymnajë që është krijuar, Zaglebie është duke e menduar dy herë transferimin e Et’hemit për të mos pasur probleme, megjithëse lojtari ka oferta të tjera nga Turqia dhe Izraeli.

Nga ana tjetër Kukësi do të humb 60.000 euro që do t’i vinin nga Zaglebie për kompensimin stërvitor, pasi Et’hemi do ta zyrtarizojë qëllimisht ekipin e ri pas datës 3 shtator, kur të ketë mbushur 23-vjeç dhe verilindorët nuk përfitojnë asgjë për rritjen e lojtarit. Gjithashtu do të hidhet në gjyq Kukësi për mashtrime dhe paraqitje të fakteve të rreme pasi supozohet që Et’hemi ka marrë 20.000 euro që të jetë pjesë edhe e ndeshjeve për Europën. /Elio Hajdari-Sport Ekspres/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *