Një tjetër finale europiane mund të zbres në Air Albania pas asaj të Conference League. Këtë herë bëhet fjalë për finalen e Kupës së Greqisë mes AEK dhe PAOK. Derbi i madh i fqinjëve tanë nuk mund të luhet dot në Greqi për shkak të problemeve që ndodhin mes tifozëve dhe për këtë arsye është menduar zhvillimi i saj jashtë vendit.
Si opsioni i parë u mendua Qipro, megjithëse Federata e Futbollit e atij vendi nuk pranoi pasi policia nuk garantonte sigurinë. Më pas janë hedhur tre mundësi në tavolinë: “Shqipëria, Rumania dhe Serbia”. Një prej tre Federatave të këtyre vendeve ka pranuar dhe është përgjigjur pozitivisht për marrjen e kësaj finale, por mediat greke shprehen se akoma nuk është zbuluar emri i vendit.
Finalja pritet që të zhvillohet në Bukuresht ose në Tiranë. Kjo pasi në Greqi kanë frikë që ta zhvillojnë ndeshjen në Serbi për shkak të vëllazërisë që kanë grupimet e tifozëve grekë me atë serbë dhe padyshim që kjo do të çonte në përplasjen e tyre kur AEK dhe PAOK të zbrisnin në fushën e blertë. /Sport Ekspres/