Një lajm i bujshëm vjen nga Anglia. Armando Broja me shumë mundësi do të jetë pjesë e Borusias së Dortmundit sezonin e ardhshëm. “The Sun” ka bërë me dije se Çelsi është në bisedime të përparuara me klubin gjerman pët transferimin e sulmuesit shqiptar në këtë verë.
Çelsi dëshiron të arkëtojë 50 milionë paundë nga shitja e Brojës, por kjo shifër nuk është e pranueshme për verdhezinjtë. Dortmundi është i gatshëm të paguajë 25 milionë paundë për kartonin e lojtarit 23-vjeçar. Negociatat po shkojnë në drejtimin e duhur, pasi edhe vetë futbollistit i pëlqen kjo lëvizje.
Vlen të theksohet se Borusia e Dortmundit është një nga klubet më të mira në Europë për rritjen e talenteve. Të fundit që kanë shkëlqyer në skuadrën e tyre ishin Bellinghemi dhe Halandi, ndërsa më parë në “Signal Iduna Park” kanë kaluar edhe emra si Levandovski, Gëtce, Dembele, Sanço, Pulisiç, Mkitarian etj.. Borusia e Dortmundit do të përballet me Realin e Madridit në finale të Ligës së Kampionëve, si dhe ka siguruar pjesëmarrjen në këtë kompeticion për sezonin e ardhshëm./Halit Delibashi-Sport Ekspres/