Në verën e vitit 2018 u dëshmua edhe njëherë se racizmi grek ndaj shqiptarëve vazhdon të mbetet në përmasa të mëdha. Idriz Batha, një prej futbollistëve më të mirë të Superiores, do të bënte hapin e madh për të kaluar në Greqi me ekipin e Ael Larissa. Të dyja palët kishin shtrënguar dorën dhe kishin gjetur marrëveshjen. Për më tepër vetë klubi grek kishte shpërndarë njoftimin në faqen zyrtare për arritjen e akordit mes vlerësimeve të mëdha për Bathën. Por papritur do të anulohej transferimi për shkakun e një foto që është parë në rrjetet sociale.
Mesfushori shqiptar kishte bërë simbolin e shqiponjës me duar dhe në Greqi këtë e cilësuan si akt të ndaluar, pasi është festimi i Shqipërisë së Madhe në variantin e tyre. “Arsyeja kryesore pse e anuluam transferimin është se pamë një foto të lojtarit në internet duke bërë simbolin e Shqipërisë së Madhe. Ne kemi shumë serb në ekip dhe gjithashtu Shqipëria e Madhe përfshin disa zonë nga Greqia. Tifozët do të zhgënjehen shumë. Nuk dua që ta botoni mesazhin tim”, ishte mesazhi që drejtori sportiv i AEL do t’i dërgonte menaxherit të Idriz Bathës.
Në këtë mënyrë u mbyll kjo histori, nëse mund ta themi kështu. Kjo pasi kishte vazhdim teksa lojtari shqiptar ngriti proces gjyqësor kundër AEL për kontratën e nënshkruar. Sipas asaj që raporton së fundmi “SDNA”, CAS ka pranuar pjesërisht ankesën e Bathës. Tashmë Larisa është e detyruar që të paguajë Bathën me shumë prej 214.000 eurosh plus 5% interes në vit nga 9 gusht 2018 me shumën totale që shkon rreth 240.000 euro. Sipas vendimit të marrë, nëse lojtari nuk paguhet brenda 45 ditëve, atëherë AEL Larisas do t’i ndalohet merkato me tre periudha transferimi. Ky ndëshkim do të hiqet menjëherë nëse paratë shkojnë në llogarinë e Bathës. /Sport Ekspres/