Nëse politika na ka bërë gazin e botës, futbolli po na fundos akoma më shumë! Mos u habisni pra, nëse në ditët në vazhdim, në faqet komike në internet ose rrjetet sociale, do të gjejmë skuadrën e kampionatit tonë, Luftëtarin e Gjirokastrës, që këtë herë siç edhe i ka zakon batutave, “nuk u kursyen” aspak, por na dhuruan një spektakël që edhe në Portokalli do ta kishin zili…
Sa keq që portokalli ishte i mykur nga brenda. E të mendosh që për këtë skuadër, vetëm dy muaj më parë, shkruam se ishin heronj, një skuadër model për t’u ndjekur, një vitrinë e futbollit tonë, e përbërë nga djem të rinj, të talentuar dhe ambiciozë.
Një ekip që nuk shihte në sy askënd, aq sa vuri me shpatulla pas murit skuadra si Skënderbeu, Kukësi, Partizani e kështu me radhë. Elozhe pa fund, duartrokitje, komente dhe në piedestal…
Por, nga parajsa në ferr, ekstremi u arrit sot në mbrëmje, në “Elbasan Arena”, aty ku ndoshta nuk do të donim të ishim dhe nuk ishim, për fat…
Ishte trupa e RTSH-së, e cila ndoshta duhet të mbyllte sinjalin dhe të mos na lejonte të shihnim atë që pamë, pra një ndeshje të trukuar kokë dhe këmbë.
Ata që ishin heronj u sollën si batakçinj. Dhe, kur UEFA të trokasë sërish, këtë herë, të mos ngurojmë t’ia hapim derën. Të mos guxojë FSHF të mbrojë këtë skuadër, të mos guxojë askush ta bëjë.
Luftëtari jo vetëm hodhi armët, por uli edhe pantallonat në fund, duke çnderuar të gjithë ne. Sepse, nëse ne ishim ata që e ngritëm në qiell për futbollin e pastër, tani duhet t’i fusim në një centrifugë nga e cila duhet të dalin akoma më të njollosur nga sa janë…
Sepse, edhe nëse i hedh ujë, ky pisllëk nuk ikën!