Orges Shehi ishte i ftuar në “Skaner” që transmetohet në “MCN TV”. Teksa është folur për ecurinë fantastike të këtij kampionati, trajneri është shprehur se me Refik Halilin ka marrëdhënie korrekte, por duke ruajtur disi distancën. Gjithashtu Shehi foli për vendimin e Grentit për të lënë futbollin.
“Dikush ndoshta nuk do ta besojë, por nuk kam pasur asnjë lloj problemi apo tensioni te Tirana. Grenti mori një vendim shumë të rëndësishëm, vetëm një njeri me karakter të fortë mund të vendoste të mbyllte karrierën 23-vjeç. Ka folur me mua para se të largohej, mori vendim burrëror.
Me Halilin kam raporte korrekte, jo shumë të afërta. Zakonisht trajnerët “lyejnë me bojë” kur flasin me presidentin. Unë jam ulur vetëm dy herë në drekë me Halilin, në dy herë kur ne nuk kemi luajtur mirë, njëra ishte pas Vllaznisë. Kemi folur vetëm 20 minuta për futboll dhe ishte për të treguar mbështetjen”, tha Shehi. /Sport Ekspres/