Kriza e Tiranës, me një ekip të ndërtuar me pretendime dhe që tashmë e sheh veten më pranë zonës së rënies nga kategoria, sepse objektivit minimal të vendosur nga klubi, që janë kupat e Europës, është analizuar nga dy “dema të kuq”, si Sulejman Starova dhe Skënder Gega.
Gjatë “Rubrikës Sportive” në RTSH, ish-trajneri i Partizanit dhe Feronikelit komentoi me diplomaci edhe zërat nëse ai mund të jetë kandidat për të zëvendësuar Ze Marian në stolin bardheblu. Starova tha: “Unë te Tirana? Keni ndonjë pyetje tjetër? Bëj pas… Kur thua ’jo’, gjithmonë dëmton dikë. Si ’po’ si ’jo’ dëmton dikë, prandaj po them që e lë ’pas’…”.
Më tej Starova komentoi formën e mirë të Laçit, e vetmja skuadër që nuk e njeh ende humbjen në këtë kampionat, si edhe krizën e Tiranës. “Laçi ka pësuar 4 gola dhe kanë shënuar 8. Tirana ka pësuar 8, kurbinasit janë një Partizan në miniaturë. Mbrojnë në grup dhe pa llogari janë në vend të tretë. Jam kurioz se çfarë objektivi ka pasur Tirana, pasi kanë bërë merkato”.
Ai shtoi: “Laçi nuk ka kualitetet e Partizanit, kanë humbur Rexhinaldon dhe Uzunin. Po mbahen me Xhixhën dhe Shtubinën. Mund të kishin shënuar edhe golin e dytë. Te Tirana janë hedhur paratë, kanë të dubluar pozicionet. Ka pasur kohë, pasi Ze Maria ka qenë edhe vjet në pankinë. Kur ha presionin, ku është profesionalizmi. Kur humbet, bën ndryshime rrënjësore. Me Krujën dërgoi disa lojtarë në tribunë. Ku çalon Tirana? Përgjegjësia më e madhe shkon te trajneri. Nuk e di objektivin. Nuk më pëlqeu si e menaxhoi presionin, duke bërë gjashtë zëvendësime menjëherë. Më kanë thënë se ia kanë bërë ekipin. Kanë pësuar tetë gola në qendër të mbrojtjes”.
Lidhur me situatën që po kalojnë Laçi dhe rivalët e mëdhenj bardheblu, u shpreh edhe trajneri i Partizanit, Skënder Gega: “Laçi është ekip me grintë. Vendosen mirë, luajnë në grup. Nuk dorëzohen, por kanë edhe kualitet. Besoj se menaxhohen mirë. Është edhe dora e trajnerit, pasi ka lojtarë me emër që nuk luajnë. Do të thotë që ai vendos”.
Duke vlerësuar Tiranën, Gega shtoi: “E ndoqa ndeshjen me Tiranën. Mund të shkonte edhe ndryshe, Tirana e pati shansin. Të menaxhosh një ekip ndahen gjërat. Ne nuk kemi drejtor teknik, por kemi tre shkallë dhe i kemi ndarë përgjegjësitë. Nuk duhet të bëhen ndasi në ekip. Para presionit nuk duhet të ndryshosh sjelljen. Nëse u jep shansin, do marrësh maksimumin. Tirana është konkurrent, asnjëherë armik. Me emrin që ka nuk duhet të ishte në këtë gjendje”.