Trajneri i Flamurtarit kërkon lojë të mirë dhe 3-pikëshin në ndeshjen e parë në Vlorë. Zbulon dëshirat e merkatos verore, por përmend vetëm emrin e Bregut
Elton Nika
Ka interesim të madh në Vlorë për të ndjekur ndeshjen e sotme mes Flamurtarit dhe Luftëtarit. Skuadra kuqezi luan kështu ndeshjen e parë në shtëpi për këtë kampionat dhe i ka të gjitha mundësitë për të shtuar tri pikë të tjera në renditje. Flamurtari vjen pas fitores në Durrës, me një moral të lartë, por duhet vazhdimësi dhe për këtë arsye, për të luftuar euforinë, drejtuesit e klubit kanë vendosur edhe heshtjen për shtyp për lojtarët.
DURO – Para gazetarëve një ditë para ndeshjes është paraqitur trajneri Shpëtim Duro, i cili foli për vështirësinë dhe rëndësinë e 90-minutëshit me Luftëtarin. Ai pret një ndeshje të luftuar dhe të bukur në Vlorë: “Rikthehemi të luajmë në Vlorë, para tifozëve tanë, ndaj dhe shpresojmë të jetë një prezantim sa më dinjitoz, duke pasur në konsideratë faktin se jemi një skuadër me shumë futbollistë të rinj. Ata luajnë për herë të parë para publikut vlonjat dhe kjo ndeshje është shumë e rëndësishme. Kemi fituar një javë më parë në Durrës, në një transfertë shumë të fortë. Personalisht, nuk jam euforik, sepse e di që kam lojtarë me personalitet në skuadër, profesionistë dhe me shumë përvojë. Kam punuar gjatë gjithë javës me grupin dhe nuk ka pse të jemi euforikë. Kemi bërë vetëm detyrën tonë deri tani, asgjë më shumë se kaq. Janë luajtur vetëm tri javë deri tani dhe kampionati është shumë i gjatë, do të ketë rezultate pozitive dhe negative, do të ketë fitore dhe humbje. E rëndësishme është që të jemi me këmbë në tokë në çdo situatë”, – ka theksuar fillimisht trajneri i Flamurtarit.
LUFTËTARI-MERKATO – “Luftëtari? Unë them se skuadra duhet të luajë mirë, ashtu siç ka bërë deri tani në kampionat. Në një garë fitorja, humbja apo barazimi janë bashkudhëtarë, por, nëse luajmë mirë, edhe rezultati nuk mungon. Kam respekt maksimal për kundërshtarin, që mbetet një nga skuadrat më të mira të kampionatit. Luftëtari është thuajse i njëjtë me sezonin e kaluar, me shumë pak ndryshime. Dua sot të zbuloj një kuriozitet: tre lojtarë të Luftëtarit gjatë verës ishin pjesë e projektit tim te Flamurtari, por për arsye kontraktuale nuk u arit marrëveshja me ta. Kam respekt për Luftëtarin, ashtu si dhe për çdo kundërshtar të këtij kampionati. Nuk mund t’i zbuloj emrat, ata i dinë vetë. Dejvi Bregun e kam kërkuar te Flamurtari, pasi është lojtar cilësor. Ai është vlonjat dhe do të luante te Flamurtari, por jo si ata vlonjatë që kërkojnë të marrin vetëm rrogën te ky ekip. E doja Dejvi Bregun, por nuk u realizua ky transferim. Luftëtari bazohet tek individë si Bregu dhe Abazaj, por ka edhe mjaft lojtarë të tjerë mjaft cilësorë”, – u shpreh Duro, pa i zbuluar emrat e dy lojtarëve të tjerë që ka dashur të marrë nga Luftëtari.
TIFOZËT – “Tifozët, që në momentin që kam ardhur në Vlorë, kanë qenë gjithmonë afër skuadrës dhe nuk e vë në dyshim se përkrahja e tyre do të jetë maksimale ndaj Luftëtarit. Nuk kemi mungesa, por ndonjë problem të vogël. Formacioni është i stabilizuar dhe në gjirin tonë kemi edhe lojtarë të rinj, që e treguan në kupë. Ata kanë mjaft cilësi. Kthehet Bicaj, ndërsa Veliu mungon sërish. Pres një ndeshje shumë të fortë dhe duam që t’i kënaqim tifozët vlonjatë”.
BUSHIÇ – Një pyetje për trajnerin Duro kishte të bënte me paraqitjen e sulmuesit dhe kapitenit Bushiç, për të cilin ai tha: “Bushiç është një golashënues. Eshtë mjaft i rëndësishëm për ne dhe ka dhënë kontributet e veta në skuadër. Besojmë te cilësitë e tij të padiskutueshme”.
Veç Bregut, i bie të jenë kërkuar Liçaj dhe Abazaj
Trajneri Duro tha në konferencë se kishte kërkuar tre lojtarë të Luftëtarit, por përmendi vetëm emrin e Bregut. Në fakt, njëri erdhi nga Luftëtari dhe është Lejdi Liçaj, pavarësisht se trajneri nuk e tha emrin e tij. Po i treti? Gjasat janë të ketë qenë Abazaj. Pra, përveç Liçajt, janë kërkuar dyshja Bregu-Abazaj, që po spikat edhe tani me fanellën e Luftëtarit. Të dy ishin nën kontratë me Luftëtarin dhe ndoshta vlera që kërkonte klubi gjirokastrit bëri që transferimi të mos realizohej. Nga Gjirokastra ndërkohë ka ardhur te Flamurtari edhe Ergis Mersini, i cili u bashkua me vlonjatët në merkaton e dimrit. Të skuadra kundërshtare luajnë aktualisht vlonjatët Beqiri, Bregu dhe Zeqaj.