Elton Nika
Dy miqësore në Greqi, një fitore dhe një humbje, ndërsa e treta do të luhet para kthimit në Vlorë. Flamurtari u mund të mërkurën nga Apollon Pontu, me rezultatin 2-1, por për trajnerin Shpëtim Duro skuadra tregoi vlera dhe dominoi në lojë, pavarësisht rezultatit. Ai thekson në një intervistë për “Sport Ekspres” se grupi po e rrit lojën gradualisht dhe kjo është e rëndësishme. Trajneri i vlonjatëve prek edhe temën e merkatos.
– Duro, dy ndeshje në përgatitore greke, një fitore dhe një barazim. Si ju është dukur skuadra?
– E kam shprehur edhe më parë se ndonjëherë rezultati në ndeshje miqësore nuk ka shumë rëndësi, por edhe rezultati duhet parë. Rëndësi ka fakti që skuadra po njeh rritje dhe ky është një fakt që na gëzon. Natyrisht, ka ende ngarkesë në këmbët e lojtarëve, por tashmë jemi drejt fundit të fazës përgatitore dhe duhet të jemi gati shumë shpejt.
– U mundët në miqësoren e fundit 2-1. Ka ende probleme për Flamurtarin?
– Përtej rezultatit, më duhet të pranoj se kemi luajtur mjaft mirë, veçanërisht deri në minutën e 30-të. Më pas lëshuam dhe i dhamë mundësi kundërshtarit të na shënojë. Ishte gjithçka për fajin tonë në dy golat e kundërshtarit. Në pjesën e dytë thuajse nuk jemi vënë asnjëherë në rrezik dhe ndoshta mund të kishim shënuar më shumë se një gol, duke parë rrjedhën e lojës dhe rastet që krijuam.
– Mbetet vetëm një miqësore, por sulmi sikur nuk po shprehet si duhet, aq më tepër që rastet u krijuan…?
– Në pjesën e parë duhej të kishim shënuar me rastet e krijuara nga Alvesh dhe Neziraj. Kishim raste mjaft të volitshme për gol, që, nëse do të ishin shfrytëzuar, sot do të flisnim ndryshe për rezultatin e ndeshjes. Skuadra vrapon, krijon dhe kjo ka mjaft rëndësi, por kuptohet që edhe duhet t’i shfrytëzojmë rastet, ku ato të Alveshit dhe Nezirajt ishin shumë të pastra. Duhet të përmirësohemi në këtë pikë.
– Një pyetje, që nuk mungon asnjëherë është ajo e merkatos. A ka më nevojë për përforcime Flamurtari?
– Unë them që kjo është skuadra e Flamurtarit. E kam theksuar edhe më parë se Alvesh dhe Bushiç duhet të marrin më shumë përgjegjësi në lojën e tyre, sepse kemi besuar vërtet shumë te këta dy lojtarë në sulm. Natyrisht, jemi në një periudhë përgatitjesh, por duhet ta kuptojnë rëndësinë e tyre dhe besimin që kemi. Të gjithë duhet të marrin përgjegjësi, por e ritheksoj se jemi në rritje dhe këtë e bazoj edhe te stërvitja dhe loja e skuadrës.
– Mos ndoshta do ende kohë ky Flamurtar, që të konsolidohet në lojë?
– Padyshim që po. Kemi kryer fazën përgatitore në Maqedoni dhe tashmë ndodhemi në Greqi. Mendoj se grupi është drejt konsolidimit të plotë, ndaj tani që kemi edhe pak ditë nga mbyllja e fazës përgatitore, duhet të nisim të mendojmë edhe për kampionatin.