Duro nuk pyet për tabu: Kukësi, thjesht ndeshje e radhës

Trajneri i Flamurtarit flet për ndeshjen me kampionët dhe situatën e skuadrës së tij para këtij takimi. Bicaj nuk është rikuperuar, ndërkohë që nuk rrezikohet me Muarem

Elton Nika

Kalendari nuk ka qenë fort dashamirës me Flamurtarin, që tashmë do të duhet të luajë një sfidë tjetër mjaft të rëndësishme dhe delikate. Përballë do të kenë Kukësin në transfertë, ku vlonjatët nuk kanë arritur të marrin asnjëherë pikë. Gjithsesi mbetet një ndeshje në të cilën Flamurtari kërkon rezultat pozitiv. Përpara këtij takimi, trajneri Shpëtim Duro ka folur për situatën e ekipit të tij dhe kundërshtarin e radhës. “Të fitosh dy herë përballë Partizanit nuk është asnjëherë e lehtë, por ia arritëm këtij qëllimi. Tashmë duhet të shohim përpara për Kukësin. Kalendari ka qenë i tillë, teksa kemi patur ndeshje shumë të forta. Në pesë ditë luajtëm dy herë përballë Partizanit dhe tani na rezervohet sërish një përballje mjaft delikate. Por kampionati ky është, nuk ka asnjë ndeshje të lehtë. Patjetër që me Kukësin është një ndeshje e rëndësishme, por duhet kuptuar se mbetet një ndeshje kampionati, si çdo javë tjetër. Duhet të kuptohet se luajmë përballë skuadrës kampione në fuqi, me lojtarë shumë të mirë dhe një trajner që ka ndryshuar shumë mentalitetin e skuadrës. Ata kanë patur problemet e tyre në pjesën e parë të kampionatit, por kanë një grup mjaft cilësor”, thotë fillimisht trajneri kryeqytetas.
FUSHA TABU
Duro as që ka dëshira ta mendojë faktin që Flamurtarin nuk ka marrë asnjëherë pikë në Kukësi. Kur i thua se “Zeqir Ymeri” është një tabu për ta, ai të thotë: “Jo, unë nuk e shikoj aspak kështu. Nuk e konsideroj të tillë, aq më tepër që rreth 80% e skuadrës së Flamurtarit luan për herë të parë në fushën e Kukësit. Nuk dua ta shikoj fare këtë aspekt. Shkojmë për të luajtur një futboll të bukur, e rëndësishme mbetet që të jetë një ndeshje me nivel dhe e bukur. Rezultatin e vendos fusha, asgjë më shumë”.
FORMACIONI
Ndaj Kukësit do të mungojë qendërmbrojtësi Ditmar Bicaj, i cili u dëmtua në ndeshjen e së mërkurës për Kupë. “Ne kemi lojtarë në organikë, por kemi dhe probleme. Kjo dihet kur ke ndeshje me mjaft intensitet. Problem është mungesa e Ditmar Bicaj, lojtar i cili është bazë e skuadrës dhe nuk do të jetë i gatshëm. Ai pësoi një dëmtim ndaj Partizanit në Kupë. Një mungesë e rëndësishme, megjithatë kemi lojtarë në organikë. Formacioni do përcaktohet para ndeshjes. Muarem dhe Tunkara? Muarem nuk do të jetë gati për këtë ndeshje, nuk duam të rrezikojmë, që të jetë gati për sfidën e javës tjetër. Tunkara ka mbërritur të mërkurën në Vlorë, ka zhvilluar stërvitje dhe do të jetë i grumbulluar për këtë ndeshje. Të shohim rreth aktivizimit të tij në këtë sfidë”, përfundon Duro.
TIFOZËT
Grupimi “Flota kuq e zi” do të jetë në mbështetje të Flamurtarit. Pas dy rezultateve pozitive ndaj Partizanit në kampionat dhe kupë, padyshim që entuziazmi te tifozët është rritur dhe grupimi i tifozëve të Flamurtarit do të jetë pranë skuadrës në një ndeshje mjaft delikate. “Flota kuq e zi” ka njoftuar se do të nisen prej orës 07:00 drejt Kukësit nga pallati i sportit.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *