Flamurtari do të ndeshet me Skënderbeun në gjysmëfinalet e kupës dhe është rivali më i fortë i mundshëm, por gjithsesi trajneri Shpëtim Duro nuk shpreh ndonjë shqetësim të veçantë, pasi nuk kishte ndonjë preferencë të veçantë.
Duke folur për “Sport Ekspres” pas hedhjes së shortit, trajneri i Flamurtarit komenton: “Short i vështirë, por asnjëri rival nuk ishte i lehtë, ndaj nuk kisha ndonjë preferencë të veçantë. Skënderbeu ka avantazhin që është i qetë në kampionat, sepse është shkëputur ndjeshëm, ndaj do të ketë mundësinë të mendojë vetëm për kupën. Gjithsesi, ka ende kohë për të menduar për ato përballje, që kanë një specifikë tjetër nga kampionati. Kupa ka shumë rëndësi për ne, por tani duhet të mbledhim forcat fillimisht për sfidën ndaj Kukësit, pas ndërprerjes së kampionatit, ndërsa më pas kemi dy ndeshje rresht me Skënderbeun”.