Trajneri i vlonjatëve: Ndaj Kukësit do të jetë e vështirë. Titulli? Do të shohim vetëm ndeshjen e radhës, herët për të folur
Elton Nika
Flamurtari dhe Kukësi luajnë sot në Vlorë për vendin e dytë. Vlonjatët vijnë pas fitores në transfertë me Partizanin dhe kërkojnë vazhdimësinë. Nga ana tjetër ngecën në shtëpi me Vllazninë dhe tashmë kërkojnë në Vlorë ta harrojnë atë barazim në “Zeqir Ymeri”. Ndeshjen e shumëpritur e prish vetëm fakti që do të luhet pa tifozë, për shkak të dënimit katër javor të dhënë nga Komisioni i Disiplinës, por megjithatë te Flamurtari kërkojnë që të vijohet me rezultate pozitive. Trajneri Shpëtim Duro vlerëson kundërshtarin, që është edhe ekipi kampion në fuqi, po gjithsesi synimi janë tre pikët.
Flamurtari-Kukësi, përballja kryesore e kësaj jave…
Padyshim që kështu është, një ndeshje shumë e rëndësishme dhe fakti që të dyja skuadrat janë pranë njëra-tjetrës. Bukurinë e prish vetëm fakti që në një ndeshje kaq të rëndësishme mungojnë tifozët. Është një takim ku do të luajmë përballë skuadrës kampione ne fuqi dhe padyshim një ndeshje shumë e rëndësishme dhe shumë e vështirë. Një skuadër kundërshtare, që e vlerësojmë maksimalisht, por padyshim ne duam të vijojmë serinë e rezultateve pozitive.
Flamurtari ka katër vite që nuk fiton ndaj Kukësit. Si e komentoni diçka të tillë?
Unë nuk i shoh statistikat dhe nuk dua që të bëj bilance në prag të ndeshjes. Ne shohim takimin e radhës dhe padyshim që kemi objektivin tonë për këtë përballje, ashtu si edhe kundërshtari. Statistikat padyshim që janë pjesë e futbollit, por para takimit duhet menduar ndeshja dhe ajo çfarë do të arrijmë në fushën e lojës.
Skuadra vjen para një tjetër dënimi dhe në këtë ndeshje. Ndikon kjo?
Dënimin e radhës e kemi mësuar, janë bërë të zakonshme, por unë nuk dua ta shoh këtë fakt, por thjesht fushën e lojës. Të mendojmë vetëm përballjen brenda fushës së blertë, pasi ajo në këto momente është shumë më e rëndësishme se gjithçka tjetër. Jemi përgatitur maksimalisht, duke parë edhe cilësitë e kundërshtarit. Padyshim kemi përgatitur takimin tonë jashtë asaj çfarë është bërë gjatë kësaj periudhe.
Si është gjendja e skuadrës në prag të ndeshjes?
Siç dihet kemi një mungesë mjaft të rëndësishme si Sidibe, një lojtar kyç në skuadër dhe që nga java në javë e kishte arritur lojën e vet. Sidibe mungon për shkak kartonësh dhe pjesa tjetër e skuadrës është e plotë. dhe gjendja është mjaft e mirë. Vijmë pas asaj fitoreje me Partizanin dhe çdo ndeshje tani shihet me syrin për të vijuar rezultatet pozitive. Natyrisht gjatë javës kemi punuar në stërvitje dhe situata brenda grupit është mjaft pozitive, me mungesën e vetme të Sidibe.
Priten ndryshime në formacion…
Referuar takimit të javës së kaluar me Partizanin, pritet të kemi dy-tre ndryshime dhe kjo në varësi të kundërshtarit që kemi përballë. Mungesa e Sidibe do të plotësohet nga tjetër lojtar, ndërsa do të shohim edhe të tjera ndryshime që mund të kemi në formacion.
Një fitore, do ju cilësonte si pretendentë për titull?
-Çdo fitore është e rëndësishme. Ne duhet të shohim javë pas jave dhe të marrim rezultate. Natyrisht kampionati është shumë i gjatë, ka shumë ndeshje përpara dhe do të vijnë edhe rezultate negative, apo barazime e fitore të tjera. E rëndësishme mbetet që ne të shohim nga ndeshje radhës dhe jo më shumë se kaq. Flamurtari është një skuadër e re, e ndërtuar në verë dhe dalëngadalë po ngrihet në lojën vet. E rëndësishme mbetet jo objektivi, por ndeshja e radhës.
Sërish ndryshime në formacion
Flamurtari i ka mbyllur përgatitjet për takimin me Kukësin, me një seancë stërvitore të zhvilluar gjatë paradites së djeshme. Më pas skuadra ka drekuar, ndërsa lojtarët janë lënë të lirë deri para ndeshjes me Kukësin. Klima në seancën e fundit ka qenë pozitive dhe e qetë, ndërsa në seancën e fundit Duro dhe stafi teknik po mendojnë për formacionit. Në mungesë të Sidibe, pritet Hyseni, por një vend titullari mund të ketë edhe për Neziraj dhe Hoxhajn.
Formacioni i mundshëm (4-3-2-1)
Flamurtari: Nurkoviç, Siljanovksi Bicaj, Pollozhani Musta, Hyseni Useini Neziraj, Hoxha Alvesh, Bushiç