Trajneri i vlonjatëve është i kënaqur me përgatitjet se skuadrës së tij, ndërkohë që përsërit se ky do të jetë ekipi që do të garojë sezonin e ardhshëm në Superiore
Elton Nika
Flamurtari ka mbyllur fazën përgatitore në Mavrovë dhe tani do të ketë pak ditë pushim dhe sërish do të nisë një periudhë dyjavore përgatitjet në Greqi. Një fazë përgatitore e përmbyllur me tre ndeshje miqësore, dy të fituara dhe një të humbur, ndërkohë që trajneri Shpëtim Duro e vlerëson maksimalisht periudhën e kaluar në Mavrovë. Duro flet edhe për vazhdimësinë, duke prekur merkaton, periudhën e përgatitjeve deri në nisje të kampionatit, si dhe rikonfirmon se me shumë mundësi kjo do të jetë skuadra e Flamurtarit për sezonin e ri.
–Profesor, tashmë u mbyllën përgatitje në Mavrovë. Si shkuan ato?
Ishte një periudhë dyjavore, që e vlerësoj maksimalisht. Një fazë e cila ka kaluar mjaft mirë, lojtarët kanë marrë ngarkesën maksimale dhe janë treguar profesionistë të vërtetë. Mbi të gjitha, ajo që ka rëndësi është se nuk kemi pasur dëmtime. Jemi ulur ditën e hënë në drekë së bashku me skuadrën dhe kemi bërë një përmbledhje të fazës përgatitore, që e cilësoj mjaft pozitive.
-E keni mbyllur me një fitore të thellë ndaj Zajazit. Sa të rëndësishme ishin ndeshjet miqësore që zhvilluar?
Në një periudhë të tillë, e kam theksuar edhe më parë, se pak rëndësi ka rezultati që arrin në miqësore. Edhe në ndeshjen e fundit kemi bërë ndryshime rolesh, apo ndryshime në formacion, me lojtarë të aktivizuar gjatë pjesës së dytë. Pra kemi eksperimentuar,
–Një Flamurtar që këtë vit ka pësuar shumë ndryshime…
Kjo periudhë dy javore ka vlejtur edhe për këtë fakt. Lojtarët e afruar tek Flamurtari ishin disa dhe kjo periudhë ka shërbyer edhe si periudhë njohjeje, ndaj mund të them se jam mjaft i kënaqur. Lojtarët edhe këtu janë treguar profesionistë, duke treguar afrimitet dhe frymë grupi. Është një grup ndaj të cilit kemi pritshmëri të gjithë.
–Sërish një tjetër fazë përgatitore në Greqi. Përse keni bërë këtë zgjedhje?
Fakti që skuadra ishte e re, bëri që edhe ne ta zgjatnim disi fazën përgatitore, duke e ndarë në dy periudha. Pasi kemi përfunduar në Mavrovë, tani do të shkojmë në Veria të Greqisë për të vijuar sërish me fazën përgatitore. Janë dy javë të tjera mjaft të rëndësishme, ku ne do të vijojmë sërish përgatitjet tona dhe programin stërvitor, që e kemi përpiluar që në fillim të ditëve të para të stërvitjes. Natyrisht, që pas Mavrovës edhe periudha në Greqi ka mjaft rëndësi, në kushtet kur kemi ende mjaft kohë për të nisur kampionatin.
–A keni programuar të tjera miqësore?
Padyshim. Unë kam përmbyllur programin në Mavrovë, ndërsa drejtuesit janë marrë me të gjitha detajet e përgatitjeve në Greqi dhe më kanë konfirmuar se gjithçka është “OK”. Nuk di të them ndonjë emër skuadre sot, por me kalimin e ditëve dhe në momentet e para në Greqi gjithçka do të kristalizohet edhe rreth miqësoreve.
–Presidenti Idrizi ka deklaruar se nëse Duro kërkon përforcime unë jam gati. Keni ndonjë koment?
Merkato e zhvilluar nga Flamurtari këtë sezon nuk ka pasur sforco ekonomike, jo si ndonjë skuadër tjetër me shpenzime mjaft të mëdha, për të cilat unë nuk jam asnjëherë dakord. Ne kemi zhvilluar një merkato me shpenzime normale, pasi unë jam i tillë, por mendoj se skuadra është pikërisht kjo dhe unë e kam thënë se përgjegjësinë për afrimet e kam unë.
–Pra nuk do të ketë merkato sërish?
Periudha dy javore në Greqi do të kristalizojë gjithçka. Mund të kemi ndonjë skarcitet, që është e pranueshme gjatë kësaj periudhe, por di të them se me shumë mundësi kjo do të jetë skuadra e sezonit të ardhshëm. Gjithsesi, në Greqi do të shohim edhe për këtë fakt. Unë e falënderoj presidentin për gatishmërinë dhe mbështetjen që na ka dhënë që nga dita e parë. Por të shohim, edhe pse mendoj se kjo është skuadra e Flamurtarit për sezonin tjetër.