Trajneri i vlonjatëve vlerëson paraqitjen e të tijve në fazën e parë: Me Skënderbeun do të jetë një ndeshje vitrinë, mëkat të luhej pa tifozë
Elton Nika
Fazën e parë Flamurtari e mbylli me barazimin 1-1 ndaj Kukësit, duke qëndruar në vend të tretë të renditjes. Natyrisht, në Vlorë ka pasur pakënaqësi për vetë faktin se skuadra meritonte diçka më shumë në renditje për këtë fazë, ku është ndëshkuar jo pak herë nga gjykimi, ashtu si dhe në ndeshjen e fundit. Trajneri i Flamurtarit, Shpëtim Duro, e konsideron pozitive fazën e parë, kur thekson se Flamurtari ka marrë vetëm pikë “bio”, të merituara plotësisht në fushën e lojës.
– Duro, si do ta vlerësonit fazën e parë të kampionatit, që e mbyllët në vend të tretë?
– Nuk më takon shumë mua të bëj vlerësimin, pro ajo që mund të them është se skuadra ka bërë një fazë të parë shumë të mirë. Vetëm një humbje në 9 javë, që në startin e kampionatit, duke parë se skuadra ishte e re dhe i duhet koha e mjaftueshme për t’u kolauduar, besoj se tregon se kemi një Flamurtar kompetitiv. Them se skuadra ka zhvilluar një fazë të parë mjaft të mirë, kjo është dukur qartë. Mbi të gjitha, kemi marrë rezultate “bio” në fushën e blertë.
– Çfarë doni të thoni me rezultate “bio”?
– Dua të them se çdo gjë që kemi marrë, e kemi merituar plotësisht, nuk kemi marrë asnjë rezultat të ndihmuar nga aspekte të tjera, veç djersës sonë në fushën e blertë. Përkundrazi, sot skuadra duhej të kishte disa pikë më shumë në renditje dhe këtu i referohem disa takimeve, ku jemi penalizuar nga gjykimi. Duket se po ripërsërisim shumë shpesh këto fakte, por ky është realiteti dhe nuk ka nevojë për shumë komente. Mendoj se Flamurtari duhet të ishte në një tjetër pozicion në renditje.
– Përpara është ndeshja me Skënderbeun dhe keni kohën e mjaftueshme për t’u përgatitur. Si e prisni këtë ndeshje?
– Nuk mendoj se ishte një periudhë e gjatë ndërprerjeje, pasi të mërkurën do të zbresim në fushë për të luajtur ndeshjen e parë të fazës së dytë. Pra, është një periudhë normale. Megjithatë, kjo periudhë do të na shërbejë të luajmë një ndeshje miqësore për t’u dhënë mundësinë e aktivizimit gjithë lojtarëve që kanë pasur më pak minuta në dispozicion.
– Ndaj Skënderbeut rikthehen tifozët. Ç’do të thotë për ju ky fakt?
– Fatmirësisht po, kthehen tifozët. Do të ishte mëkat që një ndeshje e tillë të luhej pa tifozë, pavarësisht nëse luhet në Vlorë apo në Korçë. Eshtë një ndeshje që ka nevojën e publikut në stadium dhe besoj se këtë fakt e kanë përmendur edhe te Skënderbeu. Nuk mund të luhet në një stadium bosh, siç ndodhi për fat të keq me Kukësin, ku ju e patë atmosferën e ftohtë. Një ndeshje e tillë është vitrinë dhe ka nevojë për tifozët.
– Po për lojën dhe rezultatin, çfarë parashikoni në këtë ndeshje?
– Ka ende kohë për të folur për Skënderbeun, pasi kemi edhe shumë ditë që ta përgatisim ndeshjen. Kundërshtari është nga më cilësorët në kampionat, por më mirë do të flasim para ndeshje, tani le të mendojmë për stërvitjen.