Fiorin Durmishaj është një nga shënuesit më të mirë shqiptarë nëpër Europë. Sulmuesi ka realizuar deri më tani gjashtë gola me fanellën e Panionios dhe për të interesimi nga klube të ndryshme nuk mungon. Gjithsesi duket se e ardhmja e tij është përcaktuar.
Sulmuesi, i cili në nëntor ka mbushur 22 vjeç, pritet që në verë të kalojë te gjigantët e Olimpiakosit. Sikurse shkruan “to10.gr”, për kartonin e Durmishajt Olimpiakosi do të paguajë 400 mijë euro. Paraqitjet në dy sezonet e fundit kanë bindur klubin grek të blejë shqiptarin.
Durmishaj është titullar i padiskutueshëm te Panionos dhe kjo ndodh që vjet, kur ai u aktivizua në 21 ndeshje (16 në formacion) dhe shënoi 4 gola. Sezoni më i mirë në aspektin e golave ka qenë ai 2016-2017, kur në ligën e dytë greke sulmuesi shënonte 8 gola me fanellën e Lamia. Në të shkuarën ai ka luajtur edhe me Kalithean.