Santiliano Dule ka nisur punë prej pak ditësh te Tomori dhe pas 4 ditëve stërvitje është pak a shumë i qartë mbi gjithçka i duhet skuadrës beratase për pjesën e dytë të sezonit. Për SportEkspres.com trajneri beratas shpalos planet dhe ambiciet e tij, ndërsa prek anën financiare, si kusht për disa afrime të rëndësishme.
– Si do ta vlerësoni rikthimin tuaj pas një viti tek Tomori dhe votëbesimin që ju ka dhënë klubi me presidentin Sinaj?
– Është një rikthim shumë emocionues dhe pse jo shumë i rëndësishëm, në një moment të vështirë kur skuadra kërkon mbështetjen por edhe një motivim dhe garanci për ta nxjerrë nga situata ku ndodhet. Si njeri dhe trajner që jam shumë i dashuruar me sfidat profesionale, kam zgjedhur që të marr përgjegjësi në këtë moment, ku duhet që t’u shërbej si interesave të skuadrës, por pse jo dhe të përmbush besimin që më ka dhënë klubi dhe presidenti Petrit Sinaj që gjithnjë kanë lënë një derë të hapur për rikthimin tim, qysh nga momenti kur jam larguar një vit më parë.
– Vlerësimi juaj për gjendjen e skuadrës pas katër ditëve të para të stërvitjes?
– Fillimisht më duhet të them se pas 4 ditëve të para që drejtoj Tomorin, kam vlerësimet më pozitive për të gjithë skuadrën dhe mënyrën se si po stërvitet grupi i futbollistëve, nën drejtimin e kapitenit Çaço, i cili mbetet një shembull pozitiv. Jemi në pritje të qendërmbrojtësit Mujkiç dhe përforcimeve të merkatos dimërore, por starti 4-ditor është shumë i larmishëm në stërvitje, dhe djemtë janë shprehur të kënaqur, dhe kjo natyrshëm që më gëzon. Unë synoj në punën time që si komponent bazë të kem punën e përbashkët të shoqëruar me një dozë të lartë serioziteti dhe profesionalizmi dhe duke jetuar si një familje në fushë dhe jashtë saj, le t’i shërbejmë punës me rezultate pozitive, të cilat nuk do të na mungojnë.
– Në cilën fazë është merkatoja dimërore dhe a ka momentalisht emra konkretë që kanë ardhur apo synohen si përforcime?
– Jemi në hapat e parë të merkatos dhe ditë pas dite presim që ta intensifikojmë atë duke e konkretizuar me emra konkretë. Bisedimet janë të frytshme me disa emra të njohur dhe ajo që mund të bëj me dije fillimisht është se për momentin në skuadër ka ardhur sulmuesi i njohur dhe me përvojë Elhan Galica. Po kështu jemi në bisedime me Jurgen Voglin si dhe Karakaçin, ku i pari ka ndërprerë marrëdhëniet me Teutën dhe i dyti ka përpara një ofertë financiare më të lartë se tek Egnatia ku ndodhet aktualisht. Për sa kohë ne jemi një skuadër që garantojmë paga të larta dhe garanci financiare, të gjithë futbollistët cilësorë janë të sigurt se në Berat do të gjejnë ambientin e duhur, ndaj dhe ne nuk do të kursehemi askujt, aq më shumë për futbollistët cilësorë. Tashmë jemi në fillim të vitit të ri kalendarik dhe buxheti prej 26 milionë lekësh të reja është një garanci maksimale për të zhvilluar një merkato cilësore, aq më shumë në Berat, ku futbollistët jabanxhinj ndihen shumë të respektuar dhe të privilegjuar edhe financiarisht.
– Kur pritet që të zbrisni në fushë për miqësoren e parë dhe pse ka dështuar miqësorja me Teutën të dielën e kaluar?
– Besoj se këtë javë do të zhvillojmë miqësoren e parë dhe brenda 2-3 ditëve do të bëjmë të njohur emrin e skuadrës kundërshtare. Për sa i përket ndeshjes së anuluar me Teutën, ajo që mund të them me shumë siguri është se dështimi i kësaj miqësore nuk ishte për fajin tonë, pasi ishte vetë Teuta që kërkoi miqësore, dhe fillimisht ra dakord për në Berat dhe më pas e kërkoi ndeshjen në Durrës, kur ne nuk ishim të përgatitur për të udhëtuar në Durrës.
– Sa besoni realisht te vendi i pestë në përfundim të fazës së dytë?
– Sigurisht që unë qysh në momentin kur kam pranuar të firmos për të drejtuar Tomorin kam qenë shumë i bindur se skuadra ka realisht mundësinë dhe potencialin për të marrë maksimumin në 4 javët e mbetura të fazës së dytë. Besoj plotësisht se do të bëjmë maksimumin për tu renditur në vendin e pestë, dhe për sa kohë unë edhe skuadra besojmë tek mundësitë tona, atëherë s’kam dyshimin më të vogël që në fazën e tretë do të jemi në pesë të parat e grupit. Fundja për këtë mision unë erdha në krye të skuadrës, por edhe se fryma e grupit që po përcjellim është një garanci për suksesin që na pret, pasi dhe sportdashësit tanë këtë presin nga ne.
EDI SPAHIU