Cristiano Ronaldo ka bërë zhurmë të madhe me intervistën e dhënë për Piers Morganin. Ylli portugez ka lënë mënjanë diplomacinë dhe ka folur pa filtra si për klubin, ashtu edhe për ish-shokë të skuadrës te Manchester United-i. Pjesë e diskutimit ka qenë edhe Gary Neville, me të cilin ka pasur hatërmbetje për shkak të kritikave që ky i fundit ka bërë në studiot televizive.
Ish-futbollisti i “djajve të kuq” ka folur për “Sky Sports”, ku është shprehur se Ronaldo i përngjante një deleje të humbur në atë intervistë. Sipas Neville-t, 5 herë fituesi i Topit të Artë ndihet sikur e gjithë bota i është vënë kundër.
“Gjatë një periudhe të shumë, shumë muajve, ai ka grumbulluar frustrim. Nuk mendoj se ai dëshiron një kthim pas. Dukej pak si një dele e humbur në disa momente duke folur në atë intervistë. Duket si dikush që ndihet sikur gjithë bota është vënë kundër tij”, ka thënë Gary Neville./Halit Delibashi-Sport Ekspres/