Duka uron Kosovën për anëtarësimin në UEFA: Krenohemi, punuam fort që Kosova të merrte atë që i takonte

Data e sotme shenjon një moment historik në futbollin e Kosovës. Si sot 8 vite më parë FFK-ja u bë anëtare me të drejta të plota në UEFA. Një anëtarësim në të cilin rol të madh luajti edhe lobimi i FSHF-së, me në krye Armand Dukën. Ky i fundit ka shpërndarë në llogarinë e tij zyrtare në “Facebook” çaste nga fjalimi i tij në UEFA, ku i kërkonte anëtarëve të saj që të linim mënjanë politikën dhe t’i jepnin mundësinë fëmijëve të Kosovës që të luanin futboll. Gjithashtu, Duka ka përcjellë edhe urimin e tij për FFK-në dhe presidentin Ademi, teksa krenohet me këtë kapitull të ri të futbollit në Kosovë.

“3 maji i vitit 2016 ishte historik! FFK-ja u bë anëtare e UEFA-s me të drejta të plota dhe ne jemi krenarë që ishim pranë saj dhe punuam fort që komuniteti i futbollit të Kosovës të merrte atë që i takonte me të drejtë. Anëtarësimi në UEFA hapi një kapitull të ri në futbollin e Kosovës, që tashmë garon me dinjitet në arenën ndërkombëtare, qoftë në nivelin e përfaqësueseve, qoftë në atë të klubeve.

Federata Shqiptare e Futbollit ka qenë krahë FFK-së që në hapat e parë me Fadil Vokrrin, një emër i shquar që dha një kontribut të madh për futbollin në Kosovë, dhe kjo nuk do të ndryshojë asnjëherë. Kosovë, FFK, President Agim Ademi, urime 8-vjetopin e anëtarësimit në UEFA”, ka shkruar Armand Duka./Halit Delibashi-Sport Ekspres/