Duka: Të pranohet fituesi, Takaj dhe Demi gabuan!

 

Presidenti : “Asnjë vendim i arbitrave nuk vendosi renditjen përfundimtare. Rënia e Tiranës, jo përgjegjësi e federatës. Skënderbeun e kishin inat, tani u bë simpatik”

Blerim Jahaj

Në një tryezë të përbashkët me gazetarë dhe përfaqësues mediesh të shkruar dhe vizive, presidenti i federatës shqiptare të futbollit, Armand Duka, shoqëruar nga sekretari Shulku, por edhe zëvendës presidenti Libohova dhe shefi i sektorit të garave, Lysien Nurishmi, janë “konfrontuar” me argumente. Shumë tema të prekura dhe kryesisht përgjigjet e numrit “1” të futbollit në vend, e kthyer në një bashkëbisedim.

Duke qenë se Federata është organizatore e garës dhe përgjegjëse për mbarëvajtjen e saj, pse është kaq pak prezentë gjatë vitit për punën e kampionatit në medie apo emisione sportive dhe kërkon vetë të jetë prezente kur është çështja për kombëtaren, meshkuj dhe femra?

Prezenca në medie e administratës apo njerëzve të FSHF nuk besoj se ka munguar. Nuk besoj se askush nga ne nuk i është përgjigjur negativisht ndonjë ftese apo interviste. Madje, kërkoj të jenë më shumë prezent për të dhënë versionin e tyre. Aq ishin kërkesat dhe hapësirat mediatike.

A do të rishikojë FSHF skemën e Kategorisë së Parë?

Të gjitha skemat e organizimit të garës kanë të mirat dhe të këqijat e veta. Duhen vënë në balancë. S’besoj se skema e kampionatit të fundit është më e keqe se e parafundit, pasi për vetë interesat që ka gara, pra që do të çosh një në Superiore, ekipet e tjera janë më pak të interesuara. Gropa që krijohet me dhjetë ekipet e tjera është më e madhe se sa me pesë. Kështu që s’do të thotë që ajo do ta eliminojë. Nëse shkojmë në një rritje numri, atëherë do të jetë edhe më e madhe gropa. Do të bjerë edhe më shumë interesi. Kjo është skema që u mendua për sa më shumë garë. Supozohet që lojtarët të edukohen me garë dhe jo me ndeshje jo impenjative. Realisht ishte një lloj eksperimenti. Departamenti i garave do t’i propozojë në tavolinë nëse është i mirë ky apo një tjetër. Çdo lloj skeme ka kritikat dhe avantazhet e saj.

Është hera e parë që keni qenë unison bashkë me mediet për sa i përket rolit negativ të gjyqtarëve në këtë edicion, konfirmuar me gabime të shumta dhe fakti që e mbyllëm pa tre arbitra të FIFA-s, pezulluar për gabimet. Çfarë duhet të bëjmë që të mos ndodhin më të tilla fenomene?

Nuk besoj se ky edicion, apo ai më parë, kanë pasur një gabim më shumë a më pak. Gabimet janë arbitrare. Mënyra se si merret vendimi, koha, presioni i atmosferës. Interesat në këtë garë janë më të mëdha. Gabimet arbitrare kanë ekzistuar dhe do të ekzistojnë. Aktorët duan të marrin sa më shumë, apo ata që duan të fshehin paaftësinë e tyre, manipulojnë më shumë. Nëse ky ka penalizuar një ekip më shumë apo më pak, mund të ndodhë, por s’dua të merrem. Duhet të mësohemi që ta pranojmë fituesin, ta urojmë dhe sa më shumë ta urojmë, aq më shumë do ta rrisim interesin për atë garë dhe tonin për ta fituar në një hap të mëvonshëm. Jo për të fshehur gabimet tona ta bëjmë sa më “pis atë”, pra degën ku jemi ulur vetë. Për t’u kthyer te e fundit, polemika e presidentit të Skënderbeut, që tha se më vjen turp që jam pjesë e këtij kampionati, i them se s’duhet t’i vijë turp, sepse janë gabime arbitrare. Por, gabimet arbitrare në Skënderbeu-Tirana e penalizuan shumë Tiranën. Të gjithë pjesëmarrësit kanë mundësinë t’i ndihmojnë arbitrat të bëjnë punën e tyre më mirë. Sa më shumë presion, sa më shumë “dhunë” psikologjike, i çon më pranë gabimeve. Nuk mendoj që ka gabime më shumë ose më pak.

Po sa i përket dhunës dhe dënimeve kolektive, do të ketë individuale, duke marrë edhe shembujt e huaj?

Nuk kemi qenë perfekt. Problemi kryesor është që s’kemi krijuar ambient emancipues dhe jo vetëm grupime ultras. Ka akoma shumë për të bërë. Ultrasit do të ekzistojnë, por duhen më shumë spektatorë dhe femra, pasi në këtë pikë jemi larg.

Kur gjyqtarët ndikojnë kaq drejtpërdrejt në vendimet e tyre (shembull Kukësi-Skënderbeu), çfarë do të ndodhë në sezonet e ardhshme? Do të merren masa konkrete me riorganizimin me sektorin e arbitrimit?

E përsëris, gabimet arbitrare kanë lindur me lojën dhe uroj të mos vdesin të dyja. Siç gabojnë lojtarët dhe ekipet, gabojnë dhe gjyqtarët. Mund të ketë edhe gabime me dashje. Nuk mund të përjashtoj një ishull. E vendosin Komitetet më pas, në një formë të mirë organizimi siç kemi. Hetimet dhe dënimet e gjyqtarëve s’mund të bëhen publike. E gjitha bëhet për të pastruar lojën, për të dënuar ata që vërtetohen që kanë bërë dënime me dashje dhe për të përmirësuar ata që kanë gabuar pa dashje. Jam i sigurt që këtë vit, arbitra s’kanë qenë vendimtar në renditjen e garës. Gjithkush ka marrë atë që meriton. Dikush ka qenë i aftë të trumbetojë gabimet kundra dhe të harrojë ato pro, dikush është më i pazoti. Siç përmenda Skënderbeun, që fatkeqësisht ishte një qasje që s’më vjen mirë. Juventusi është më i urryeri në Itali, ndërsa Skënderbeu ishte deri këtë vit, sepse po fitonte, ndërsa tani është bërë simpatik në rolin e viktimës dhe më vjen mirë.

Mendoni se i është ngrënë haku ndonjë gjyqtari të veçantë?

Komiteti i arbitrimit, në mënyrë profesionale gjykon dhe analizon, duke marrë vendime. Uroj mos ketë pasur pezullime të padrejta dhe uroj mos kenë gjykuar ata që duhet të dënoheshin. S’kemi statistika të sakta.

Në epilogun e sezonit, a janë verdiktet e kampionatit të drejta? Marr shkas nga deklarata e fundit e presidentit të Partizanit, që akuzoi se kampionati përfundoi si dëshiroi federata?

Kampionati përfundoi siç e tha fusha e lojës. Ekipi kampion zhvilloi 35 ndeshje pa humbur asnjë. Sigurisht, ka pasur pro edhe kundër. U hap me gabim në ndeshjen Luftëtari-Partizani me penallti, por nuk e dëmtoi garën. E kuptoj dëshirën e presidentit të Partizanit për t’u shpallur kampion, sidomos për tifozerinë, pasi Partizani ka shumë tifozë, por anëtarët janë me kontribute në fushë. Në fund, nëse ndahet nga një ndeshje apo penallti, s’do të thotë se ky ekip është më i keq se tjetri.

Ç’ndjesi ju jep fakti që në një kampionat me 10 skuadra, Tirana ka rënë në kategori dhe a ka përgjegjësi federata?

Tirana, një klub i madh me shumë histori, fatkeqësisht u pozicionua i parafundit në renditje. Nëse do të dal dhe flas siç kam lexuar këto ditë, “është krim”, “dramë”, patjetër që më vjen keq. Që një klub me shumë histori do të zbresë. Megjithatë, nuk e quaj ndonjë dramë. Tirana mund të riorganizohet dhe luajë më mirë, siç ndodhi me Partizanin, që ra dy kategori më poshtë dhe u rikthye, duke luftuar sot për titullin. Nuk ndjej as më të voglën përgjegjësi, përveç keqardhjes që e thashë. Përgjegjësinë ta marrin ato futbollistë që luajtën në fushë dhe morën ato rezultate. Nuk kam mundësi të bëj asgjë për Tiranën, se s’mund t’ia fitojmë ne ndeshjen, por në fushë, vetë ata. Mund të kishim Vllazninë një kategori më poshtë. Dihen problemet e Tiranës, por kam besim që presidenti Halili do të dijë ta rikthejë, në nivelet e larta dhe ta shohim si pretendent. Një vit do të kalojë shpejt, uroj të rikthehet si Partizani, apo Juventusi në Itali, apo Zyrihu sivjet në Zvicër.

Ju kanë akuzuar se gjyqtarët janë pilotuar nga federata dhe ju për të favorizuar dikur Skënderbeun dhe tani Kukësin. A ka ndodhur realisht kjo gjë?

Federata dhe unë është akuzuar shumë, sepse në fillim ishte interesuar që të dilte Skënderbeu kampion, më pas u bë me Kukësin. Mbaj mend edhe dikur, individë të veçantë, duke mos arritur objektivin, kërkojnë nga federata e futbollit. Ajo që na intereson është mbarëvajtja e garës dhe në asnjë rast s’bëhemi pjesë apo kemi interes se kush do të fitojë titullin apo do të zbresë në kategori.

A ka sinjalizime për aleanca në këtë sezon, apo ndeshje të toleruara? Po ndryshimi i skemës nga 10 me 12 apo 14 skuadra a është marrë në konsideratë?

Nëse ka aleanca, apo jo, fatkeqësisht s’mund të fshihemi pas gishtit. Ka ekzistuar dhe nuk është eliminuar. E pamë dhe në Francë, në tre ditë, pasi ishim të destinuar të vinim në shtëpi, pasi Portugalia dhe Hungaria me barazimin kalonin të dyja. Ky diskutim bëhet edhe për Europianin. Pritja e Shqipërisë na bën të mendojmë për skemën e ardhshme. Eliminimin e aleancave për interesat e përbashkëta. Jemi munduar maksimalisht. Nuk mendoj se ka skemë më të mirë se kjo, për të shmangur këto aleanca. Fakti që në javën e fundit apo të parafundit, duke parë se skuadra e parafundit dhe e katërta nga fundi diskutonin rënien në kategori apo Europë, e konfirmon.

Duke parë dyshimet për arbitrat dhe aleancat, a ka menduar federata, në të ardhmen, të forcojë bashkëpunimin me organe shtetërore si prokuroria, siç ndodhi me Juventusin në Itali?

Ne jemi një organizatë sportive, por ky është aktiviteti më i mirë që bën Shqipëria. Nuk shoh interes më të madh se sa për kampionatin e futbollit. Patjetër që duhet të luftojmë fenomenet negative, por debati qëndron sepse ka shumë futboll. I ftojmë klubet që ta kenë të prekshëm produktin e tyre dhe bashkërisht me ligën, nëse do të krijohet, apo UEFA-n, të shohim mundësinë për të mos përbaltur këtë kampionat që bëjmë vetë. Aty ku e meriton e meriton, por mendoj që ka më shumë baltë nga sa duhet. Mund ta përmirësojnë më shumë për ta çuar më përpara. Ky është më i miri i rajonit, e them me bindje.

Sa ndikim ka politika me futbollin shqiptar?

Patjetër ka persona politikë që interferojnë, pasi siç e thashë, futbolli është aq i përhapur këtu saqë edhe politika ndonjëherë ndërhyn. Puna e FSHF-së është t’i amortizojë sa më shumë. Ne bashkërisht duhet të rrisim nivelin e lojës tonë. Ka politikanë që duan të përfitojnë, nëpërmjet rezultateve jo të drejta. S’e kemi eliminuar, por kemi rezistuar.

Në lidhje me videoskandalin (futbollisti i Partizanit Vila me agjentin Drini Çaushit), a keni dijeni se ku ka shkuar çështja, po merret Prokuroria?

Është ndjekur nga ne dhe kemi dalë edhe me komunikatë. Për ne duket qartazi që është tentativë nga dikush për të manipuluar, por s’kemi asnjë autoritet, edhe nëse e hetojmë e dënojmë, sepse s’është anëtar i joni. Masat e futbollit janë ta përjashtosh nga futbolli. S’kemi çfarë mase të marrim, por kemi inkurajuar Vilën, duke pasur edhe kontakte me Prokurorinë.

A ka ardhur koha që federata të jetë më pedante me infrastrukturën, duke nisur nga të rinjtë? Sepse, marr shembullin e Kategorisë së Parë, ku mungon kjo pjesë…

Kemi manual licencimi. Interesi është të luajnë sa më shumë futboll dhe sa më shumë fëmijë. S’kemi kushte ideale për zhvillim. Duke bashkuar këto interesa, u prodhua ai manual dhe respektohet maksimalisht. Mund të ketë raste tolerimi, ambient që s’plotëson kushtet dhe i ngelet përmirësimit në sajë të rrugës. Do të duhet vëmendje më e madhe për përmirësimin e infrastrukturës nga buxhetet e shtetit apo vendore. Kategoria e Parë nuk ka të njëjtat kushte.

Ka 10 vjet që është rritur niveli financiar i futbollit dhe ka presidentë që mburren duke shpenzuar 1 milionë euro, por në anën tjetër kemi 3 vjet që me kampionati mbyllet me 9 klube, pasi zhduket Elbasani, Tërbuni e Korabi tërhiqen, thjesht vazhdojnë për të respektuar garën. A ka plan federata për të shmangur këto fenomene?

Kriteri i parë për ngjitjen nga kategoritë është sportiv. Për sa kohë plotësojnë kriteret e licencimit, do të vazhdojnë të luajnë. Nëse gjatë rrugës hasin problemet që kanë, bien nga kategoria. Në dijeninë time janë zbatuar kriteret e licencimit.

ARMAND DUKA DHE…

 

Gaz Demi

“Marrëdhëniet e mia me zotin Demi kanë qenë korrekte, edhe pse jo të vjetra. Në këtë kampionat ka krijuar ide dhe ka hedhur akuza që unë, ose FSHF nuk ka dashur që Partizani të dalë kampion. Më vjen keq, por nuk e ç’bëj dot mendimin e tij. Partizani, nëse kthehemi në histori, ka mbijetuar nën kujdesin tonë, sepse rrezikonte të zhdukej si stemë. Kemi arritur aty sa t’i mbështesim, kur mbetën pa njeri, që të merrnin pjesë në garë, qoftë edhe transfertat, veshjet apo gjithçka. E kemi për detyrë, siç bëmë për Partizanin, edhe për të tjerët kështu”.

 Sulejman Starova

“Trajneri i Partizanit, Starova, ngatërron objektivat personale me ato të klubit, që është dëmtuar. E para, në konceptin tim, një trajner s’mund të bëjë politikë apo maksimalen për të arritur rezultatin. Objektivat e tij personale për t’u kthyer në federatë, s’duhet t’i ngatërrojë me objektivat e klubit. E bëri te Tirana, te Kukësi dhe tani te Partizani. Më vjen keq që edhe presidenti ka rënë në të njëjtin mendim. S’kam asgjë personale me Starovën. Meqë e ka ëndërr që të rikthehet, edhe mund ta bëjë, pasi mund të ketë mësuar më shumë se sa kur ishte dikur”

Ardjan Takaj

“E kam mik, por ka gabuar, kanë qenë momente emocioni. Ai duhet ta kërkonte kampionatin te vetja dhe ekipi, që ka luajtur mirë sidomos në pjesën e dytë të sezonit, por ka bërë edhe hapa fals, duke fituar disa ndeshje në fund dhe humbur të tjera. Beosj se kanë qenë deklarata të nxituara”

Sinan Idrizi

“Rasti i tij është unikal në Europë. Sepse, t’i hiqen 6 pikë një ekipi sepse lojtarët kërkojnë pagat e tyre, që vazhdojnë të luajnë, e kam parë vetëm në këtë klub. Të kontribuosh  në fushë dhe të kërkosh penalizim, pasi lojtarët kanë bërë kërkesa me shkrim të zbatohet rregullorja. Ta gjenin konsensusin me futbollistët. Ajo që duhet të bëjë Idrizi është që të menaxhojë sa më mirë klubin, pasi edhe sot kemi 10 lojtarë të Flamurtarit që kërkojnë pagat. Ne jemi përgjegjës për gjithkënd, por ta gjejë gjuhën me futbollistët”

Erjon Braçe

“Pseudotifoz që ndoshta bën mirë të diskutojë për peshëngritjen, se e njeh më mirë”

Batuta mbi finalen e Kupës

“E rëndësishme është që ndeshja të jetë e nivelit të mirë. Uroj që të fitojë Tirana dhe të kemi Tiranën në Kupat e Europës dhe në Kategori të dytë si Zyrihu. Por këtë duhet ta fitojë në fushë. Meqë Tirana është viktima, unë bëhem me viktimën”

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *